Jared Kushner, i dërguari dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, do të udhëtojë për në Izrael javën e ardhshme për të provuar të zbutë mosmarrëveshjet midis dy aleatëve mbi planin e SHBA-së për Gazën, tha një burim brenda “Këshillit të Paqes”. Ai do të udhëtojë me Nickolay Mladenov, përfaqësuesin e lartë për Gazën të “Këshillit të Paqes” të krijuar nga Donald Trump, në Izrael dhe Egjipt, një vend kyç ndërmjetësues.
Kjo vizitë po zhvillohet ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë publikisht më 9 gusht planin amerikan prej 15 pikash, të cilin Mladenov e kishte njoftuar në fund të korrikut, i cili parashikon çarmatimin e Hamasit palestinez dhe tërheqjen e Izraelit nga territori i Gazës.
Edhe pse organizata palestineze e pranoi këtë, Izraeli u përgjigj duke deklaruar se vendos si kusht për çdo tërheqje të trupave të saj çarmatimin “real” të Hamasit. Një burim brenda “Këshillit të Paqes” i tha Agence France-Presse se Kushner dhe Mladenov shpresojnë për “diskutime konstruktive” mbi planin gjithëpërfshirës të paqes të Donald Trump për Gazën, kulmi i parë i të cilit ishte armëpushimi i shpallur në tetor 2025. Që atëherë, sulmet izraelite janë zvogëluar, por nuk janë ndalur.
“SHBA-të dhe Izraeli bien dakord për rezultatin e dëshiruar në Gaza, domethënë një Hamas të demilitarizuar”, sqaroi i njëjti burim, i cili kërkoi të mos identifikohej.
“Ne do t’i dëgjojmë shqetësimet që do të shprehen dhe do të diskutojmë hapat e mëtejshëm“, shtoi burimi, duke shpresuar që këto diskutime të mund të lejojnë përshpejtimin e “progresit” që është arritur tashmë.
Një version i hershëm i planit të Gazës i publikuar nga “Këshilli i Paqes”, me të cilin ishte dakord edhe Hamasi, parashikonte një tërheqje graduale të Izraelit nga një pjesë e madhe e Rripit të Gazës. Por më pas Mladenov u tërhoq, duke thënë se Izraeli do të duhej të tërhiqte trupat e tij vetëm nëse Hamasi çarmatoset plotësisht.
Benjamin Netanyahu, nën presion përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit, të cilat pritet të jenë të ngushta, premtoi se nuk do të ketë tërheqje dhe vuri në dyshim gatishmërinë e Hamasit për t’u çarmatosur, duke kërkuar që të shkatërrojë armët e tij në një mënyrë të verifikueshme./et
