Last Updated on 16/04/2026 by Anisa
Asllan Plaku është ankuar në gjyqin për dosjen “Plumbi i Artë” për transferimin nga Durrësi në Burrel. Plaku gjatë fjalës së tij ka deklaruar se transferimi në Burrel i vështirëson ardhjen e tij në çdo seancë.
Ai ka theksuar se do të jetë i pranishëm pasi nuk do që të përfaqësohet nga asnjë avokat pa firmën e tij. Prokurori Behar Dibra iu përgjigj duke thënë se do t’i verifikojnë pretendimet e tij pasi më parë nuk ishin në dijeni.
Diskutimet:
Plaku: Ti marrësh të gjithë nga burgu, nëse ka ndonjë tendencë nga shefat e policisë. Nuk e di ça kanë, duan të arrijnë atë që duan, por me mua nuk ju ecën. Transferimi në Burrel vështirëson ardhjen time në çdo seancë, janë dy orë rrugë, më fusin në ato furgonët zhul, dua të ndjek çdo seancë. Ma kanë argumentuar lëvizjen sikur kam bërë kundërshtime.
Do kem gjyqe, nëse vjen dokument nuk e firmos, nuk dua të më përfaqësojë asnjë avokat pa firmën time, kushti është që të më transferojnë sërish aty ku kam qenë në Durrës. Javës tjetër më çojnë në Drenovë. O prokuror e di se kush e bën dhe pse e bën, por nuk kanë me arrit gjë.
Dua të kërkoj dëshmitarë, por nuk kam dosje, më vështirëson mbrojtjen, avokatin që më kanë caktuar nuk e njoh fare. Avokatët s’dua të më përfaqësojnë pa praninë time, nëse nuk më çojnë aty ku isha. Duan të marr në qafë njerëz pa lidhje. Dua të largohem dhe nuk dua të më përfaqësojë njeri pa praninë time, po më bini në qafë kot, s’më detyroni dot me zor.
Dibra: Këto pretendime do i verifikojmë, tani vihemi në dijeni, nuk kemi qenë në dijeni. Do shohim arsyet e transferimit, nëse ka të bëjë me sjelljet tuaja, do verifikojmë pretendimet dhe do gjejmë zgjidhje. Drejtoria e Burgjeve është institucion më vete. Ti je këtu s’ke pse ikën, do bëhesh shkas për zvarritje e shtyrje gjykimi.
Plaku: Këtë seancë po qëndroj, por nuk ndodh më.
Gjykata: Do marrim masa dhe të shohim çdo mundësi tjetër, tani kur jemi në kushte kur nuk kemi asnjë informacion nuk vendosim asgjë.
