Last Updated on 15/04/2026 by Anisa
Auron Tare thotë se lidhja mes Diasporës dhe Shqipërisë nuk është aq e fortë dhe e qëndrueshme sa flitet. Sipas tij, Samiti i Diasporës është vetëm një “show” që nuk pasqyron realitetin e lidhjeve mes vendit amë dhe komunitetit shqiptar që jeton jashtë kufijve.
“Në datën 28 nëntor në Boston, me lejen e bashkisë së Bostonit, u ngrit flamuri shqiptar. Dy herë që kam qenë unë, ishte flamur i grisur. Pse? Ambasada e Shqipërisë nuk ka një flamur t’ia çojë atyre që e ngrenë atje? Flamuri shqiptar i grisur. Domethënë këto janë detaje të cilat tregojnë që edhe komuniteti vetë është nuk është në një nivel aktiv të fortë dhe lidhja me vendin nuk është se është e fortë”, tha Tare në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Ne kemi arritur një fazë që nuk mund të vazhdohet më me këtë lloj forme dhe duhet të jetë një çaste më strategjike që shteti të marrë një rol më të madh, elitat të marrin përgjegjësi më të madhe dhe të kemi terma konkret ku del Shqipëria, kush janë sfidat, kush janë problematikat dhe a mundet diaspora dhe burimet pozitive të diasporë t’i përdorim pozitivisht për këtë gjë”, shtoi ai.
Për të mbështetur idenë e tij, Tare solli shembullin e vëllait të tij, Igli Tare, i cili sot mban postin e Drejtorit Sportiv te klubi i madh i futbollit, Milan. “Është ky djali që menaxhon klubin e Milanit. E ka thirrur njeri këtu që të merret me futbollin e Shqipërisë, apo jo? Pra problemi është që nuk ka politika. Nuk kemi politika të caktuara. Ne jemi, bëjmë show, bëjmë, bëjmë konferenca, flasim, pastaj harrojmë”.
