Qindra punëtorë të transportit në kryeqytetin e Filipineve, Manila, kanë nisur një grevë për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit.
Siç shkruan BBC, çmimet e naftës dhe benzinës janë më shumë se dyfishuar që kur shpërtheu lufta në Iran më 28 shkurt, duke i vendosur Filipinet në një gjendje emergjence kombëtare energjetike.
Një shofer 62-vjeçar në Manila i tha BBC-së se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke thënë se nuk kishte ushqim për të mbështetur pesë fëmijët e tij dhe se nuk kishte marrë ndihmë financiare nga qeveria.
Kjo ndodh ndërsa presidenti filipinas, Ferdinand Marcos, tha se po punonte për të siguruar burime të reja nafte, duke shtuar se vendi po “shikon çdo gjë që mund të bëjë”.
Grevën po e udhëheq koalicioni i sindikatave të transportit Piston, i cili ka paraqitur një sërë kërkesash, nga heqja e taksave mbi karburantin dhe ulja e çmimeve të naftës, tek ndalimi i derregulimit dhe vendosja e kontrolleve shtetërore.
Ata gjithashtu kërkojnë rritje të tarifave dhe pagave.
Grupet e protestuesve u mblodhën në zona të ndryshme të kryeqytetit të enjten në mëngjes, duke mbajtur pankarta dhe duke kërkuar nga qeveria që të bëjë më shumë për t’i ndihmuar.
Shumë prej tyre ishin shoferë të jeepneys, mini-autobusëve të njohur për tarifat e ulëta. Shoferët e motoçikletave dhe makinave për transport me aplikacion ishin gjithashtu mes atyre që kishin paralajmëruar se do t’i bashkoheshin protestave.
Disa thanë se nuk kishin marrë pagesën prej 5 mijë pesos (rreth 83 dollarë) që Departamenti i Mirëqenies Sociale dhe Zhvillimit kishte thënë se disa shoferë do të ishin të kualifikuar për të.
“U rreshtova për më shumë se pesë orë dje për ndihmën financiare nga qeveria, por emri im nuk ishte aty,” tha Guillermo Japole, 62 vjeç, duke shtuar se nuk kishte marrë “as ndihmë financiare, as të ardhura, as ushqim për familjen”.
Guillermo, i cili ka pesë fëmijë në shkollë, thotë se qiradhënësit janë gati t’i përzënë nga banesa.
Një tjetër shofer, 28-vjeçari Anjo Lilac, po ashtu tha se nuk kishte marrë ndihmë financiare. Ai mori me vete në protestë dhe të bijën, Hannah.
“Nuk do të ketë kush të kujdeset për të, pasi gruaja ime ka marrë një punë të përkohshme,” shpjegoi ai. “Kjo ndihmë financiare do të na ndihmonte, për ushqim, qiranë dhe sidomos për qumësht për foshnjën tonë.”
Disa shoferë thanë për BBC-në se mund të ktheheshin në qytetet e tyre të lindjes për të kërkuar punë të tjera./kb
