Last Updated on 03/07/2025 by adminfjala
Babai i Suel Çelës, Petrit Çela, ka reaguar pas njoftimi të bërë këtë të enjte nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se ka sekuestruar pasuri me vlerë 4 milionë euro në Verona të Italisë, të cilat sipas organit të akuzës rrjedhin nga trafiku i kokainës.
Për gazetaren Klodiana Lala, Çela ka deklaruar se gjithçka është e ligjshme dhe se është marrë me biznes prej 34 vitesh.
Ai ka pohuar se pasuria në Itali është hetuar edhe më herët dhe se për atë zotëron tre vendime Gjykate. Për këtë arsye, babai i të “fortit” të Elbasanit ka theksuar se do të vijojë betejën me SPAK dhe se shumë shpejt do të publikojë dokumentat.
Gjithashtu, një “ankesë” Petrit Çela e ka pasur edhe për mediat për të cilët ka thënë se janë duke i “nxirë jetën”.
Përmes një njoftimi zyrtar SPAK njoftoi këtë të enjte se në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë bërë të mundur zbërthimin e një organizate kriminale, e cila në krye kishte dy vëllezërit Çela dhe vepronte në Verona të Italisë.
Sipas autoriteteve, organizata kriminale ishte përgjegjëse për transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në disa vende europiane, nga Amerika e Jugut në tregun europian.
Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove. m.p.