Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kërkoi dhe ekzekutoi masat e sigurimit ‘Arrest në burg’ për tre shtetas, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale me futje të lëndëve narkotike brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve me Burg (IEVP) Elbasan.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, masat u kërkuan për shtetasit N.K., G.S. dhe E.K., për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 324/a/2 i Kodit Penal.
Hetimet për procedimin penal nr.669, viti 2025, kanë dokumentuar se punonjësi i policisë së burgjeve N.K., i cili kryen shërbim në regjimin e brendshëm në IEVP Elbasan, merret me aktivitet të kundraligjshëm, duke futur lëndë narkotike në regjimin e brendshëm të burgut. Prokuroria thekson se N.K. për të kamufluar aktivitetin e tij të paligjshëm, gjatë orëve jashtë shërbimit, operonte si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, ku merrte porosi nga të afërmit e të paraburgosurve dhe më pas i dorëzonte këto sende brenda institucionit.
Sipas Prokurorisë, në vijim të verifikimeve të kryera është marrë dhe administruar e dhëna se ai furnizon me lëndë narkotike të paraburgosurit në IEVP Elbasan. Më pas shitja dhe shpërndarja e lëndës narkotike bëhej në regjimin e brendshëm nga të paraburgosurit.
Hetimet treguan gjithashtu se shtetasi N.K. kryen aktivitetin gjatë turnit të tretë dhe gjatë fundjavave, kur nuk ka personel të administratës në institucion. Prokuroria citon se në kryerjen e këtij aktiviteti, N.K. bashkëpunonte me shtetasen E.M., e cila e paguante për futjen e lëndës narkotike në burg, ku shumat e transaksioneve varionin nga 100-200 mijë lekë të vjetra. Për më tepër, E.M. ka deklaruar se i dashuri i saj, G.S., shiste lëndë narkotike në IEVP Elbasan me çmime të ndryshme.
Prokuroria thekson se në ngarkim të personave nën hetim N.K., E.K., dhe G.S., ekziston dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se kanë kryer veprat penale të ‘Prodhim dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg’.
“Masat e sigurimit për tre të dyshuarit u ekzekutuan nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më datë 22.01.2026”, njoftoi Prokuroria e Elbasanit./kb
