Last Updated on 28/02/2026 by Anisa
Policia e Tiranës ka bërë thirrje për vigjilencë dhe respektim të rendit dhe ligjit, pas njoftimit nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë për zhvillimin e një tubimi të planifikuar më datë 28 shkurt 2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë. Pas ngjarjeve të dhunshme që shoqëruan një tubim të ngjashëm në të kaluarën, ku u evidentuan akte të dhunshme dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, si dhe pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në protesta, Policia ka bërë të ditur se nuk mund të marrë përsipër garantimin e zhvillimit të këtij tubimi.
Njoftimi i policisë: Tiranë
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.
