Policia e Shtetit vijon operacionin e koduar “Stolen Line”, ku si rezultat i punës janë sekuestruar dy automjete të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në Shqipëri.
“Gjatë fazës së sotme u sekuestrua 1 automjet me vlerë rreth 50 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Sllovaki, ndërsa dje u sekuestrua 1 automjet me vlerë rreth 40 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Itali”, njofton policia.
Po ashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetasit që dyshohet se kanë trafikuar automjetet në Shqipëri.
“Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit ‘Stolen Line’, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Ndërkaq, dje, në kuadër të operacionit ‘Stolen Line’, u sekuestrua 1 automjet tip ‘Seat Cupra’, me vlerë rreth 40 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Itali. Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen, G. L.”
Ndërkohë, policia njofton se po punohet për kapjen e të dy shtetasve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme./kb
