Last Updated on 20/05/2026 by Kesjana
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari tha sot se ky institucion, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punon për hartimin e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.
Në një konferencë për median, Lamallari theksoi se kjo është një detyrë e përbashkët e instancave shtetërore me prindërit, mësuesit dhe nxënësit, ndërsa këta të fundit duhet të raportojnë dyshimet për incidente të ndryshme apo sjellje të ndryshme anormale në një shoqëri.
Sipas ministrit, policia do të ndërhyjë menjëherë për të neutralizuar raste, lidhur me elementë që kërcënojnë shëndetin dhe sigurinë në shkolla.
“Do të hartohet një plan pikërisht për evidentimit të problemeve sidomos me sigurinë në shkolla, për ato me fluks të lartë apo që kanë raportuar shqetësime të ndryshme, si nga prindërit por edhe nga komuniteti i mësuesve. Zbatimi i programit synon një ndërgjegjësim dhe vetëdijesim më të lartë te i gjithë komuniteti. Kjo është detyrë jo vetëm e instancave shtetërore, por edhe e të gjithëve ne, prindërve, mësuesve dhe nxënësve, të cilët gjithmonë e më shumë duhet të raportojnë dyshimet për incidente të ndryshme apo sjellje joshoqërore. Në këtë rast, policia do të ndërhyjë menjëherë për të neutralizuar raste, lidhur me elementë që kërcënojnë shëndetin dhe sigurinë në shkolla”,-tha Lamallari./kb
