Nga Fitim Zekthi
Një nga krizat më të rënda të shoqërisë sonë nuk është ajo politike, sociale apo e zbatimit të ligjit por shkatërrimi i kuptimit për të vërtetën. Në fillimin e viteeve 1990-të pati një përpjekje për të pasur media që pasqyronin të vërtetën, që mbronin lirinë, që përpiqeshin të ishin siç thoshte Habermas, një lloj hapësire mes pushtetit politik dhe njerëzve ku në mënyrë racionale debatohet për të vërtetën.
Sigurisht që pushteti politik u përpoq t’i kontrollojë dhe t’i përdorë për qëllime të tij, kryesisht propagandistike.
Me kalimin e kohës, ky raport u sofistikua. Sa më shumë para dhe ndikim grumbullonte politika dhe biznesi, aq më “profesionale” dhe teknikisht të zhvilluara bëheshin mediat. Në dukje rritej liria, në thelb rritej kontrolli. Nuk kishte më censurë të drejtpërdrejtë por kishte varësi, financim, interes dhe një nënshtrim të butë, por të plotë. Raportet e organizmave ndërkombëtarë për lirinë e medias kanë treguar gjithnjë një shkallë stanjacioni ose përkeqësimi mbi lirinë e medias.
Qeveria dhe partitë e mëdha kontrollonin programe televizive, gazeta apo redaksi lajmesh qartësisht.
Pastaj ndodhi një deformim tjetër, më i rrezikshëm. Media nuk u mjaftua më me propagandën. Ajo u shndërrua në një mekanizëm presioni. Gazetat, televizionet, programet e ndryshme nisën të prodhonin atë që Edward Herman e quan ekspozim selektiv. Goditeshin politikanë, biznese, institucione, madje edhe individë të zakonshëm si mësues, mjekë, edukatorë kopshtesh apo punonjës të gjendjes civile sipas rastit dhe interesit. Fjala u kthye në një farë mënyre, në mjet ndëshkimi. Dhe ndëshkimi kishte çmim. Viheshin gjoba ose filluan të vihen gjoba.
Në këtë pikë, informacioni nuk ishte më informacion, ishte sajesë, ishte përzgjedhje mbi thashetheme, ishte gjysmë e vërtetë, ishte edhe shpifje, ishte rrjedhje e pjesshme e qëllimshme. Ishte një formë force. Një lloj ekonomie e padeklaruar, ku reputacioni blihet, shitet ose shkatërrohet. Aty ku nuk kishte më kufi mes gazetarisë dhe presionit, filloi të lindë një treg i errët i ndikimit.
Por degradimi nuk u ndal këtu. Me shpërthimin e portaleve dhe rrjeteve sociale, u rrëzua edhe iluzioni i asaj që dikur quhej filtër profesional. Hapësira publike u mbush me një zhurmë të pakontrolluar. Çdokush u bë burim, çdokush u bë analist, çdokush u bë gjykatës. Çdokush u bë mjek, psikolog, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe mbi të gjitha, askush nuk mbante më përgjegjësi.
Në këtë pikë, siç do të thoshte Manuel Castells, një teoricien spanjoll, komunikimi hyn në logjikën e rrjeteve ku qarkullimi është më i rëndësishëm se verifikimi dhe struktura tradicionale e autoritetit shpërbëhet.
Në këtë kaos, gjëja më e rëndësishme ndryshoi natyrë. Nuk kishte më rëndësi e vërteta, por qarkullimi. Nuk kishte më rëndësi fakti, por efekti. Nuk kishte më rëndësi verifikimi, por impakti. Thashethemi nuk ishte më devijim por u bë formë dominimi i së vërtetës publike. Partitë vetë filluan të ecin apo ndërtojnë narrativa politike mbi thashetheme apo mbi hamendësime. Ta zëmë qeveria thotë që “amerikanët aty ishin por ikën nga SPAK” dhe ndërton mbi këtë spekulim një diskurs të tërë. Opozita thotë që “Balluku i tha Ramës do të të marr me vete në një bisedë shumë të tensionuar mes tyre” apo që “Alq iBllako u arratis por u kthye me helikopter të ushtrisë nga Greqia”. Kryetari i bashkisë thotë që “prokurori Ols Dado po e heton Erion Veliajn se ky nuk i dha leje ndërtimi” etj. Apo publikime lajmesh që gjoja filan politikan ishte atje e ishte këtu, që do takojë këtë apo atë, që hyri këtu e doli atje. Me gjëra sikëto partitë janë mbushur plot.
Në këtë realitet e vërteta humbet statusin e saj. Krijohet një barazi e rreme ku kushdo mund të flasë për gjithçka dhe askush nuk mban peshën e asgjëje. Në terma foucault-ianë, regjimet e së vërtetës shpërbëhen, nuk ka më një autoritet që prodhon të vërtetën, por një shumësi diskursesh që konkurrojnë pa kriter.
Ata që vënë gjoba, dhe kjo është dokumentuar edhe nga hetimet e prokurorisë në shumë raste, godasin dy lloje njerëzish. Njëra janë mësues e mjekë, biznese të vogla ose mesatare të cilët sulmohen për qëllim përfitimi. Tjetra janë politikanë të vegjël dhe të mesëm që sponsorizohen nga lufta e brendshme politike. Të fuqishmit nuk i sulmon dot njeri, në raste shumë të rralla kur një i fuqishëm paguan për sulmin.
Në dukje, kjo është kaos. Në thelb, është një rend i rikomunikimi dhe rend i ri politik. Sepse në këtë rrëmujë, pushteti nuk humbet, ai përshtatet. Ai nuk ka nevojë të kontrollojë çdo narrativë. I mjafton të kontrollojë kanalet kryesore të vëmendjes dhe të prodhojë mjaftueshëm zhurmë që asgjë të mos dallohet qartë.
Në këtë kuptim, pushteti nuk funksionon më vetëm si censurë, por si menaxhim i perceptimit përmes përmbytjesh me “informacion”.
Në një realitet të tillë, e vërteta nuk luftohet më drejtpërdrejt. Ajo thjesht mbulohet. Nuk ka nevojë të censurohet ajo që mund të mbytet në informacion të pavlerë ose informacion të mbushur me rrena apo shpifje që shkatërron qëllimisht njerëz. Dhe kështu jemi në paradoks. Sa më shumë flitet, aq më pak thuhet, sa më shumë informacion ka, aq më pak zbulohet e vërteta.
Në këtë zabullime të qëllimshme, politika e korruptuar nuk është thjesht pjesëmarrëse ajo është përfituese e drejtpërdrejtë. Ky është një habitat ideal për të, për të sunduar apo dominuar. Kjo është ndërtuar qëllimisht dhe me vullnetin e dy partive tona të mëdha.
Marrë nga mapo.al
