Lideri i partisë Reform UK, Nigel Farage po përballet me një hetim nga Komisioneri Parlamentar për Standardet në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me një dhuratë me vlerë rreth 6.7 milionë dollarë (5 milionë paund) që dyshohet se është marrë nga një donator privat.
Hetimi vjen vetëm disa ditë pasi partia e tij u shfaq si fituesja më e madhe në zgjedhjet lokale dhe rajonale në Angli, duke rritur më tej vëmendjen publike dhe politike mbi burimet e financimit të Reform UK.
Sipas raportimeve, dhurata i është dhënë Farage nga miliarderi që jeton në Tajlandë dhe investitori në kriptovaluta Christopher Harborne. Farage ka deklaruar se këto para nuk ishin një donacion politik, por një dhuratë personale dhe e pakushtëzuar, e përdorur për sigurinë e tij personale përpara se ai të shpallte kandidaturën në zgjedhjet kombëtare të vitit 2024, të cilat e bënë deputet.
Nëse hetimi konstaton shkelje serioze të rregullave të deklarimit, Farage mund të përballet me pezullim nga Dhoma e Komunave për një periudhë kohe. Një pezullim prej 10 ditësh ose më shumë mund të aktivizojë një peticion për rikthim në zgjedhje, gjë që potencialisht do ta detyronte atë të garojë sërish për vendin e tij në parlament.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, rreth dy të tretat e financimit të Reform UK vitin e kaluar kanë ardhur nga i njëjti donator, Christopher Harborne, gjë që ka shtuar debatet mbi ndikimin e donatorëve të pasur në politikën britanike.
Kritikët e partisë thonë se ky financim bie ndesh me imazhin që Farage përpiqet të krijojë si përfaqësues i “njeriut të zakonshëm” kundër establishmentit politik, duke e lidhur atë me varësinë nga sponsorë të pasur ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, zëvendëslideri i Reform UK, Richard Tice, ka deklaruar se votuesit tashmë ishin në dijeni për këtë dhuratë dhe megjithatë kanë vazhduar ta mbështesin partinë në zgjedhjet e fundit.
Më herët këtë vit, Farage kishte kërkuar falje pasi autoritetet parlamentare zbuluan se ai kishte kryer 17 shkelje të rregullave për deklarimin e interesave financiare, përfshirë pagesa nga kompani si Google dhe X Corp e Elon Musk. Hetuesit megjithatë kishin konstatuar se këto shkelje ishin të paqëllimshme dhe të shkaktuara nga probleme administrative dhe të stafit./mxh
