Polonia dhe Lituania kanë konfirmuar se po marrin pjesë në diskutime brenda NATO-s, për një rol të mundshëm, më të madh në misionin e parandalimit bërthamor të aleancës, i cili bazohet në armët bërthamore amerikane në Evropë, raportoi AP.
Zyrtarë të të dy vendeve theksuan se bisedimet janë ende në faza të hershme dhe nuk përfshijnë plane për dislokimin e armëve bërthamore në territorin e tyre.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, deklaroi se qëllimi është forcimi i kushteve të parandalimit bërthamor dhe rritja e rolit të Polonisë në këtë kuadër, por theksoi se vendosja e armëve bërthamore, do të ishte një çështje me pasoja të rënda politike.
Edhe ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas konfirmoi se diskutimet janë duke vazhduar dhe se vendi i tij është aktiv në këto procese.
Sipas burimeve të medieve ndërkombëtare, SHBA-ja ka sinjalizuar gatishmëri, për të shqyrtuar zgjerimin e elementeve të arsenaleve bërthamore, në vende të reja evropiane, përtej atyre aktuale që marrin pjesë në programin e NATO-s.
Aktualisht, armët bërthamore amerikane janë të dislokuara në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë, Turqi dhe Britani të Madhe, në kuadër të sistemit të ndarjes bërthamore të NATO-s.
Diskutimet zhvillohen në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe shqetësimeve për sigurinë në krahun lindor të NATO-s, ndërsa aleatët kërkojnë forcimin e kapaciteteve të parandalimit bërthamor ndaj Rusisë./mxh
