Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi se Danimarka mund të llogarisë në solidaritetin evropian lidhur me Groenlandën, duke theksuar se vendet anëtare të NATO-s nuk duhet të kërcënojnë apo sulmojnë njëra-tjetrën.
Në prag të udhëtimit të tij drejt Parisit për takimin e ashtuquajtur “Koalicioni i të Vullnetshmëve” për Ukrainën, Tusk iu referua komenteve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e ishullit arktik të Groenlandës.
“Asnjë anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut nuk duhet të sulmojë apo të kërcënojë një tjetër anëtar të NATO-s,” u shpreh Tusk, duke shtuar se solidariteti evropian dhe respektimi i integritetit territorial të shteteve evropiane janë parime themelore.
Kryeministri polak theksoi se synimi i Varshavës është të mbështesë Danimarkën, pa cenuar marrëdhëniet e forta transatlantike. Sipas tij, lidhjet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbeten baza e NATO-s dhe e sigurisë kolektive.
Donald Tusk bëri të ditur gjithashtu se takimi i Parisit synon forcimin dhe bashkërendimin e qëndrimeve evropiane dhe amerikane në lidhje me Ukrainën. Ndërkohë, aleatët e Kievit u mblodhën në kryeqytetin francez për të finalizuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, në rast të një armëpushimi me Rusinë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se SHBA-të kanë nevojë për Groenlandën “për arsye mbrojtjeje”, një qëndrim që ka nxitur reagime dhe shqetësime në Evropë./mxh
