Polonia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, të paktën në rrethanat aktuale. Deklarata u bë këtë të mërkurë, më 11 shkurt, nga kryeministri polak Donald Tusk.
Fillimisht i konceptuar për të forcuar armëpushimin në Gaza, presidenti amerikan Donald Trump e sheh Bordin e Paqes me një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve globale. Megjithatë, disa vende shprehin shqetësimin se ky mekanizëm mund të kthehet në një rival të Kombeve të Bashkuara.
Ftesa për t’iu bashkuar Bordit, drejtuar edhe Rusisë dhe Bjellorusisë, ka bërë që shumë shtete perëndimore të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm.
“Në këto rrethana, Polonia nuk do t’i bashkohet punës së Bordit të Paqes, por do ta analizojë situatën”, deklaroi Tusk gjatë një mbledhjeje të qeverisë. Ai theksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten prioritet për Varshavën dhe se, nëse rrethanat ndryshojnë, Polonia nuk përjashton asnjë skenar.
Më vonë gjatë ditës, Tusk pritet të takohet me presidentin nacionalist Karol Nawrocki në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku Bordi i Paqes është një nga çështjet kryesore në rendin e ditës./MXH
