Kryeministri Edi Rama ka folur në podcastin e tij, lidhur me projektin “Porta e Alpeve” që i bashkohet Paketës së Maleve.
Rama u shpreh se ky projekt përbën një ndërhyrje me një investim prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve. Sipas tij kjo do të zhvillojë më tej turizmin dhe kryesisht turizmin malor.
“Një shënim, i cili besoj ia vlen, sepse në këto javë, në këta muaj, po flitet për Paketën e Maleve. Ajo çka i shtohet Paketës së Maleve si një projekt i quajtur “Porta e Alpeve”, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor. Është një projekt për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë, që synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, padyshim duke krijuar aksese të lehta dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Përfshihet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit, përfshihen investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e asaj trashëgimie të vyer historike që ka edhe në zonën e veriut. Ndërkohë që, patjetër, nuk mund të ishte jashtë projektit edhe kujdesi për të siguruar, për të garantuar gjithë ato pjesë të mrekullueshme të natyrës që duhet të mbeten të paprekshme”, tha Rama.
Kreu i qeverisë doli edhe lidhur me samitin e diasporës në Tiranë, ku u shpreh se konfirmoi ndryshimin në raportin e Shqipërisë me diasporën.
Rama tha më tej se ajo që ishte deri dje një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh në ekonomi, në dije dhe në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.
“Samiti i IV i Diasporës, i cili u zhvillua më 13 dhe 15 prill, konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës. Them konfirmoi sepse kjo ishte diçka që ne e pamë dhe e prekëm konkretisht edhe në zgjedhjet e shkuara, ku diaspora mori pjesë në një numër jo të vogël krahasimisht me pritshmëritë, sepse ishte hera e parë që merrte pjesë në zgjedhje dhe ku, sipas këndvështrimit tim, u konfirmua një mbështetje masive për shkak të ndryshimeve dhe transformimit të madh që Shqipëria ka pësuar në këto vitet e fundit. Por ajo që është më e rëndësishme është që sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo thjesht dhe vetëm përmes asaj që diaspora ka bërë gjithmonë, që ka qenë mbështetja monetare e familjeve këtu në Shqipëri, por edhe përmes elementësh realisht të admirueshëm të botës së saj të re, qoftë atyre që kanë spikatur në fushat profesionale, qoftë atyre që kanë spikatur në fushën e sipërmarrjes. Dhe çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen. Është një realitet që lidhet drejtpërdrejt, siç thashë, me transformimin e vetë Shqipërisë nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të brendshëm, siç ishte ekonomia që ne morëm kur nisëm këtë rrugëtim qeverisës, në një ekonomi me rreth 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm, me objektivin për të arritur në 35 miliardë euro deri në fund të kësaj dekade. Nga një vend me më pak se 3000 euro të ardhura për frymë, në një vend me mbi 11000 euro të ardhura për frymë, me synimin për të kapërcyer 15000 euro në fund të kësaj dekade. Nga 2 milionë turistë dikur, ku për turistë numëroheshin edhe ata që shkonin jashtë dhe, kur ktheheshin, futeshin në listën e këtyre 2 milionë e disave, në një Shqipëri që pret 12 milionë vizitorë në vit, siç ndodhi jo më larg sesa disa muaj më parë, kur u mbyll viti 2025. Nga disa 300-400 milionë euro investime të huaja në vit, në mbi 1.6 miliardë euro në vit. Këto nuk janë thjesht shifra, por janë vetëm shumë pak tregues të një Shqipërie që është rritur, të një Shqipërie që është forcuar, të një Shqipërie që, mbi të gjitha, ka ndryshuar mënyrën si funksionon dhe, për këtë arsye, ka ndryshuar edhe mënyrën se si ajo perceptohet. Dhe mbi të gjitha, ky ndryshim reflektohet në raportin mes Shqipërisë dhe diasporës dhe të diasporës me Shqipërinë”, tha kryeministri Rama./mxh
