Nga Artur Ajazi
Nëse ka patur ndonjëherë përcaktim më briland nga Edi Rama për një pjesë të medias duke e quajtur “kazan”, atëhere sot më shumë se kurrë, ky përcaktim mbetet aktual. Mjafton të shohësh një ëndërr në sabah, dhe në drekë e ke hapur një portal. Mbledh ca “thashetheme” dhe fjalë ke klubi lagjes lart e poshtë, mbledh edhe ca “leksione” pijanecësh mbi politikën, zhvillimin, artin, kulturën, drejtësinë, madje dhe politikën e jashtme, dhe ke fituar davanë. Vendosi portalin një emër kafshe, sendi, apo sajesë idioteske, dhe ke hapur “dritare mediatike”.
Dhe më skandalozja është se këto “portal-kazane” kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, po shtohen aq sa, më shumë portale ka Shqiperia, se Gjermania. Ato merren me “lajmin e fundit”, (një zënkë pijetarësh në lagje” dhe e kthejnë në “tragjedi në X apo Y qytet”, ato merren me thashethemin mbi dënimet dhe gjykimet, ato merren me anketa, stimuj, merren me kryeministrin, ftojnë dhe marrin në gjoja-intervista lloj-lloj pocaqie, e pyesin atë për SPAK, OSHEE, GJKKO, për sterilizimin, për arsimin dhe mjeksinë, për kurvërinë, për emrat e veçantë dhe profesionet e tyre, etj. Pra në Shqipëri po merren të gjithë me të gjithë, dhe në fund me asgjë.
Por më brutale dhe maskaradë mbetet vesi që kanë këto “portale mediatike”, që është gjobëvënia ndaj disa bizneseve, emrave të dëgjuar ng arti, kultura, sporti, politika, deri dhe mjeksia, apo dhe personave të përfshirë në skandale erotike, korrupsion, etj. Eshtë realisht një situatë alarmante, dhe AMA, fle gjumë. Eshtë realisht një situatë e papranueshme ligjërisht, dhe strukturat e shtetit flenë gjumë. Nuk e kuptoj, me çfarë merret SPAK, prokuroritë dhe gjykatat e tjera, kur dihet dhe njihen pronarët e këtyre portal-kazanëve, kur dihet se janë arrestuar dhe kanë shkuar para ligjit mbi 28 persona, që deri dje njiheshin si “bosët e portaleve”, pasi kanë rezultuar se merreshin me drogë, trafiqe, gjobëvënie, etj.
Ata kanë njollosur rektorë, dekane fakultetesh, kanë njollosur vajza dhe gra të ndershme, intelektualë të respektuar në botën akademike dhe jo vetëm. Ka ardhur koha që medemek “pronarët” e këtyre kazanëve mediatike, të përgjigjen para ligjit, për të gjitha shpifjet dhe denigrimet , gjobëvëniet dhe baltosjet që u kanë bërë institucioneve, drejtuesve të tyre, apo dhe biznesmenëve dhe qytetereve të ndershëm. Ka ardhur koha që, SPAK, të mos vazhdojë të rrijë atje si strukturë parazite, por të nisë punën ndëshkimore ndaj rrugeçërve pa asnjë lidhje me median, që po njollosin gazetarët e ndershëm.
Mbyllja urgjente e këtyre port-haleve, dhe përjashtimi nga çdo union gazetarësh, i atyre që janë kamufluar si të tillë (shumica të ardhur nga zona rurale) mbetet detyrim ligjor nga strukturat e shtetit. Shqipëria nuk mund të shkojë në Bashkimin Europian, me port-halet e paligjshme, që kanë mbytur rrjetin dhe opinionin me lajme të rreme dhe dezinformime të realitetit. Të thuash “mos e prek lirinë e fjalës”, nuk do të thotë të tejkalosh cakun që të përcakton ligji.
