Një ditë pasi kryeministri njëherazi kryesocialisti Edi Rama, njoftoi për zhvillimin e “Pranisë Besnike” çdo të premte në orën 17:00 të pasdites në qytetet e Shqipërisë, socialistët janë vënë në lëvizje. Përmes dhjetëra postimeve në rrjet janë ndarë detaje nga takimet e sotme në vend, që përkojnë me të parat, me qytetarët në rrethe të ndryshme duke zbuluar dhe deputetët që do të jenë të gatshëm “me laps e letër” për të mbajtur shënime, shqetësimet e qytetarëve, njëjtë siç e kërkoi dje kryeministri.
Duke nisur nga veriu i vendit, njoftohet se takimi me qytetarët sot do të mbahet në selinë e PS-së në Koplik të Madhësisë së Madhe. Për të vijuar më tej në Bashkinë e Lezhës, ministri i mbrojtjes Ermal Nufi bën me dije se takimi me lezhjanët do të zhvillohet në lagjen “Besëlidhja” (Breg Drinit, tek ish-Elektriku), në zonën e Kurbinit në lagjen Nr. 3, Rruga Nacionale Laç-Milot, ndërsa në Mirditë bëhet me dije se takimi do mbahet te Ish-Komiteti i Partisë, kati 2, Sheshi “Abat Doçi”, Rrëshen.
Për të vazhduar më në qendër të vendit, në zemër të Shqipërisë, Ervin Hoxha ka njoftuar se do të jetë prezent me strukturat e PS në Njësinë 11. Po ashtu dhe numri dy i qeverisë Albana Koçiu ka bërë me dije se do të jetë gjithashtu e pranishme në sheshin Garibaldi, në zonën e Kombinatit.
Ndërsa ministrja e ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka ndarë detaje në lidhje me “Praninë Besnike” për 4 ditët e ardhshme në njësinë numër 2 të Tiranës, ku bën me dije takimi i parë do të zhvillohet në Moonlight Bar, i dyti në MOM Bar, i treti në Vila Vechia ndërsa i katërti në radhë do të mbahet te Bar Domus. Për njësinë 9, Ogerta Manastirliu bën me dije se takimi mes socialistëve dhe qytetarëve sot do të mbahet te Biblioteka “Petro Zheji”, Njësia 9, Tiranë.
Për t’u zhvendosur më tej në zonat e Elbasanit, Saimir Hasalla bën me dije se sot në orën 17:00 , do të jetë më afër qytetarëve pranë Njësisë Administrative Karinë.
Në pjesën jugore të vendit Bledi Çuçi bën me dije se ditën e sotme, në orën 17:00, do të jetë i pranishëm në Njësinë Administrative Orikum, për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet, sugjerimet dhe idetë e qytetarëve.
Po ashtu, kryeparlamentari Niko Peleshi ka ndarë detaje në lidhje me takimet që pritet të mbahen në qarkun e Korçës, si dhe ka zbuluar deputetët që do të jenë të pranishëm gjatë ditës së sotme.
Pritet që të ketë detaje të reja në vijim se nga ku do nisin takimet e para të “Pranisë Besnike” në qarqet e tjera të vendit.
Gjithashtu, takimet pritet të zhvillohen gojarisht mes deputetëve dhe qytetarëve, pa praninë e kamerave. Në fjalën e mbajtur ditën e djeshme nga mbledhja e grupit parlamentar te Pallati i Brigadave, kryeministri Edi Rama njoftoi se nuk do të jenë të lejuara kamerat apo filmimet, përveç shkrepjes së disa fotove me miratimin e personave që janë të pranishëm në këtë takim, Rama nënvizoi në fjalën e tij se këto takime do të mbahen për aq kohë sa ai është në krye të qeverisë./ad
