Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshtonte vendimmarrjet e mëparshme lidhur me masën e sigurisë ndaj tij.
Në rekursin e depozituar, Veliaj pretendonte se gjatë hetimeve të zhvilluara nga SPAK janë konstatuar shkelje procedurale, të cilat sipas mbrojtjes cenojnë vlefshmërinë e veprimeve hetimore dhe vendimeve të marra mbi bazën e tyre. Megjithatë, Gjykata e Lartë ka vendosur të mos e pranojë kërkesën, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme.
Ndërkohë, më 24 shkurt, gjyqtarja Nertina Kosova do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut për ndryshimin e masës së sigurimit. Në këtë seancë pritet të vlerësohet nëse ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore që Veliaj të lirohet nga qelia apo t’i zbutet masa aktuale.
Apeli i Posaçëm do të analizojë rrethanat e reja të paraqitura nga mbrojtja, e cila argumenton se pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim, nuk ekziston më rreziku i prishjes së provave apo i pengimit të procesit hetimor. Sipas avokatëve të tij, në këtë fazë procedurale nuk qëndrojnë më arsyet që justifikojnë vijimin e masës së arrestit me burg.
Vendimmarrja e 24 shkurtit pritet me interes, pasi do të përcaktojë nëse kryebashkiaku i Tiranës do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim apo do të përballet me gjykimin në një masë më të lehtë sigurimi.
