Last Updated on 30/12/2024 by adminfjala
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në Shqipëri pritet të bëhet në vitin 2025, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, me qëllim përafrimin e çmimit të pasurive me çmimin real të tregut.
Procesi do të nisë me konsultimin publik të çmimeve të reja të referencës për banesat, i cili do të përfundojë në mars 2025. Deri tani, 14 bashki, kryesisht ato afër zonave bregdetare, kanë përgatitur çmimet e reja, por ato nuk janë bërë ende publike.
Në Tiranë, çmimet e reja të referencës janë miratuar në vitin 2023, me një rritje deri në 30% të vlerës së pronave. Aktualisht, 60 bashkitë kanë vetëm një çmim reference për të gjitha banesat, por Ministria e Financave po punon për ndarjen e çmimeve në zona kadastrale, siç funksionon aktualisht në Tiranë.
Rivlerësimi i pasurive do të ketë ndikim për qytetarët që duan të shesin shtëpitë e tyre. Diferenca mes vlerës aktuale të pronës dhe asaj të rivlerësuar do të ketë një tatim më të ulët.
Për shembull, nëse një apartament me vlerë fillestare 100 mijë euro shitet për 150 mijë euro, aktualisht tatimi për diferencën prej 50 mijë euro është 15%, që do të thotë 7,500 euro. Por, pas rivlerësimit, tatimi pritet të jetë më i ulët, ndoshta rreth 5% ose 2,500 euro.
Ky do të jetë rivlerësimi i pestë i pasurive të paluajtshme në 13 vitet e fundit, me procesin e fundit që u mbyll në vitin 2022./ S,M