Last Updated on 04/12/2025 by Monika
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ishte sot i pranishëm në prezantimin e programit “Cashless Albania 2030”.
Në fjalën e tij, Sejko u ndal te ndikimi në ekonominë shqiptare të këtij programi kombëtar, që sipas tij bëhet në kuadër të modernizimit të pagesave.
Sejko u shpreh se deri më tani për këtë program kanë përfunduar disa etapa të rëndësishme, teksa tanimë mbetet edhe implementimi i disa hapave të tjerë, si futja në sistem e pagesave të shpejta.
“Ky program ka disa afate dhe është diskutuar në disa mbledhje paraprake edhe më gjerë mes institucioneve tona. Në kuadër të modernizimit të pagesave, kemi bërë disa hapa. Brenda programit është një proces me elementë që janë diskutuar. Janë të ndara me data dhe afate, për programin e qeverisë për reduktimin e ekonomisë. Bëhet përmes iniciative konkrete. Lidhet teknikisht me modernizimin e pagesave, që fillon me miratimin e ligjit për pagesat elektronike dhe akteve nënligjore, pasi jemi bërë pjesë edhe në SEPA. Janë bërë transferta për euron, njësoj si për lekun. Nga ky moment dhe më tej është implementimi i disa hapave të tjerë, si instant payments, pra pagesave të shpejta. Afati mund të shtyhet pak, pasi lidhjet edhe me vendet e rajonit dhe mund të shkojë deri në fund të vitit 2026. Ndërthuren edhe pagesat e ndryshme me pjesën fiskale, pra të tatimeve dhe financave. Deri më tani kemi bërë shumë hapa, që për fat të mirë kanë rezultuar mirë dhe përmes koordinimit, do të bëhen të mundura këto që do të diskutojmë”,-tha Sejko.
