Last Updated on 17/09/2025 by adminfjala
Në Sarajet e Toptanëve në Tiranë u zhvillua konferenca ndërkombëtare ku u prezantua projekti për Muzeun e Artit dhe Trashëgimisë Islame në Tiranë.
Ky muze do të bëhet pikërisht te Sarajet e Toptanëve, një hapësirë që do të transformohet në funksion të këtij projekti.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili sapo ishte kthyer nga Brukseli.
Në fjalën e tij të shkurtër, Rama u shpreh se Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame do të jetë një vlerë e shtuar për kryeqytetin.
“Ky muze është i nevojshëm dhe mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi që përndryshe për shumëkënd është një dëshmi e munguar dhe madje edhe e pamundur sepse në mendjen edhe idenë e shumëkujt kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Europën dhe madje këtë pasuri kaq të çmuar të kulturës e traditës tonë shumëkush e sheh si trashëgimi të imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë. E vërteta është krejt ndryshe dhe dëshmia e kësaj të vërtete është një nevojë, domosdoshmëri dhe është një vlerë e shtuar për kryeqytetin. Ky muze i shtohet një gjerdani që po shkon duke u zgjatur dhe pasuruar me Teatrin e ri Kombëtar, Galerinë Kombëtare, Muzeun Besa që është fare ngjitur. Ajo që është e rëndësishme është se ky është një stacion kyç i historisë tonë si komb. Talenti i padiskutueshëm i arkitektit është një garanci dhe më vjen shumë mirë që paralelisht Hernandezi po punon edhe për një tjetër muze në Shkodër që praktikisht i dedikohet martirizimit të klerit katolik. Dhe kështu plotësojmë dhe një mozaik të munguar të historisë së fesë në Shqipëri që do të ketë vendin e vetë edhe në muzën e ri kombëtar”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Projekti u prezantua nga arkitekti spanjoll Jesus Hernandez, i cili në fjalën e tij tha se godina e Sarajeve të Toptanëve do të ruajë karakterin historik dhe ndërhyrjet që do të bëhen do të jenë minimale. m.p.
