Last Updated on 20/01/2026 by Monika
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me dënimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe letrën dërguar nga PD pasditen e sotme.
Në reagimin e bërë, KLGJ njofton se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar në adresë të institucionit.
Më tej, KLGJ thotë se sapo të mbërrijë zyrtarisht shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme që vërteton dënimin e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka në shtetin grek do të ndërmerren të gjithë hapat e duhur ligjorë.
“Lidhur me njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me vendimin e miratimit të rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bëj me dije se deri në orën 20:30 datë 20.01.2026 në adresë të KLGJ-se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar. Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatese ligjore. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim./mxh
