Komisioni Evropian ka propozuar zgjatjen deri në mars të vitit 2028 të regjimit të mbrojtjes së përkohshme për qytetarët ukrainas që janë larguar nga lufta, por me një ndryshim të rëndësishëm: përjashtimin e burrave të moshës 23 deri në 60 vjeç, të cilët sipas ligjit ukrainas nuk mund të largohen nga vendi për shkak të detyrimeve ushtarake.
Propozimi, i paraqitur të premten, synon të balancojë nevojën për mbrojtjen e refugjatëve me aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten nga agresioni rus. Sipas Komisionit Evropian, ndryshimi është kërkuar nga vetë autoritetet ukrainase.
Komisioneri për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, deklaroi se iniciativa është rezultat i kërkesës së Kievit dhe synon të mbështesë përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës.
Propozimi vjen gjithashtu në një klimë ku në disa vende të Bashkimit Evropian po rritet skepticizmi ndaj refugjatëve ukrainas. Në muajin shkurt, kancelari gjerman Friedrich Merz kishte kërkuar përjashtimin e burrave të rritur nga regjimi i mbrojtjes së përkohshme.
Ndërkohë, Gjermania, Çekia dhe Polonia kanë reduktuar një pjesë të përfitimeve sociale për ukrainasit që gëzojnë këtë status.
Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu nisjen e një projekti pilot për të nxitur kthimin vullnetar të ukrainasve nga vendet e BE-së, duke u ofruar informacion dhe mbështetje për riintegrimin dhe rikthimin e tyre në Ukrainë./mxh
