Deputetja demokrate Ina Zhupa ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar nga operatorët turistikë detarë të Ksamilit para Këshillit Bashkiak Sarandë.
“Duam takim me kryetarin”/ Pronarët e mjeteve ujore të Ksamilit protestojnë për caktimin e vendbazimeve
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa thekson se është e papranueshme që bashkia ende të mos ketë dhënë zgjidhje dhe të mos ulet në dialog me operatorët turistikë detarë të Ksamilit.
Sipas deputetes, vendbazimet e propozuara larg zonave turistike dhe në pika problematike për lundrimin nuk janë zgjidhje reale për punën e tyre.
Zhupa bën thirrje që çdo vendim lidhur me aktivitetin detar në këtë zonë të ketë gjithmonë prioritet absolut sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve.
“Protesta e dytë e operatorëve turistik detar në Sarandë. Është e papranueshme që bashkia ende të mos ketë dhënë zgjidhje dhe të mos ulet në dialog me operatorët turistikë detarë të Ksamilit. Vendbazimet e propozuara larg zonave turistike dhe në pika problematike për lundrimin nuk janë zgjidhje reale për punën e tyre.
Siguria e qytetarëve dhe pushuesve duhet të jetë gjithmonë prioritet absolut në çdo aktivitet detar. Por, njëkohësisht, edhe bizneset që jetojnë nga turizmi duhet të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt, të kontrolluar dhe në kushte funksionale.
Në fushata elektorale i takojnë menjëherë dhe u kërkojnë mbështetje, ndërsa sapo kalojnë zgjedhjet, përballë qytetarëve dhe bizneseve nxjerrin vetëm policinë. Turizmi nuk zhvillohet me arrogancë dhe mungesë komunikimi, por me bashkëpunim, rregulla të qarta dhe respekt për njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë lokale.
Bashkia duhet të ulet urgjentisht në tryezë me operatorët dhe të gjejë një zgjidhje funksionale, sepse sezoni ka nisur dhe vonesat po dëmtojnë drejtpërdrejt ekonominë lokale dhe imazhin turistik të Ksamili”,-shprehet Zhupa./mxh
