Last Updated on 14/10/2026 by Monika
Përballja mes Egnatias dhe Midtjyllandit në raundin e parë të Ligës së Konferencës ndodhet në rrezik.
Sfida e caktuar për t’u luajtur të enjten e 15 tetorit në orën 18:45 në stadiumin “Air Albania” ka hasur probleme sigurie.
Stërvitja zyrtare e skuadrës daneze në impiantin e kryeqytetit ka zgjatur vetëm pak minuta për shkak të pranisë së gazit lotsjellës. Situata e tensionuar dhe protestat që po zhvillohen në Tiranë kanë krijuar kaos pranë zonës së stadiumit.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, edhe Egnatias i është anuluar tërësisht seanca e planifikuar stërvitore. Drejtuesit e klubit dhe delegatët e ndeshjes nuk mund të garantonin kushtet normale për përgatitjen e ekipeve.
Mësohet se menjëherë është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit të sigurisë për të analizuar situatën. Vendimi përfundimtar mbi luajtjen apo shtyrjen e takimit pritet të merret pas këtij takimi urgjent./mxh
