Një aleancë grupesh të majta, e udhëhequr nga Partia Socialiste Frontline, protestoi të hënën, përpara ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Sri Lankës, Kolombo, kundër operacionit amerikan në Venezuelë, ku presidenti Nicolas Maduro u kap për t’u përballur me akuza për drogë në Nju Jork.
Policia rrethoi ambasadën, ndërsa mbi 200 protestues brohoritnin parulla antiamerikane dhe mbanin pankarta kundër politikave të Uashingtonit.
Protestuesit akuzojnë Shtetet e Bashkuara se duan të marrin rezervat e naftës së Venezuelës dhe se shkelin parimet e demokracisë.
Operacioni për rrëzimin e Maduros është ndërhyrja më e madhe amerikane në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989.
Ky veprim ka shkaktuar shqetësim global, pasi marrja e një shefi të huaj shteti, edhe pse i papopullarizuar, ka ngritur debate mbi legjitimitetin dhe pasojat e tij. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritej të diskutonte çështjen të hënën.
Rusia, Kina dhe aleatët e majtë të Venezuelës kanë dënuar operacionin amerikan. Kuba, mbështetësja më e fortë e Karakasit dhe e përfolur si përgjegjëse për sigurinë e Maduros, tha se 32 nga personeli i saj ushtarak dhe i inteligjencës humbën jetën gjatë operacionit.
Ndërkaq, aleatët e Uashingtonit, shumica prej të cilëve nuk e njihnin Maduros si president për shkak të akuzave për manipulim zgjedhor, kanë reaguar më të matur, duke theksuar nevojën për dialog dhe respektimin e ligjit./mxh
