Last Updated on 15/10/2026 by EL
Përshkallëzimi i protestave dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore në qendër të Tiranës kanë detyruar një pjesë të konsiderueshme të administratës publike të ndryshojë përkohësisht mënyrën e organizimit të punës, duke kaluar në punë në distancë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Ekofin.al, punonjës të disa ministrive dhe institucioneve të administratës qendrore janë udhëzuar të shmangin praninë fizike në zyra dhe të vijojnë ushtrimin e detyrave të tyre nga shtëpia, deri në një njoftim të dytë.
Burime nga Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Ministria e Mjedisit dhe dikastere të tjera konfirmuan për Ekofin.al se punonjësve u është komunikuar udhëzimi për të punuar online, me qëllim shmangien e rreziqeve që lidhen me situatën e tensionuar në kryeqytet.
Masa vjen pas sulmeve të një dite më parë ndaj disa institucioneve shtetërore, të cilat u shoqëruan me dëmtime të objekteve dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Vendimi prek kryesisht administratat e institucioneve që ndodhen në zonën qendrore të Tiranës, aty ku janë përqendruar protestat dhe ku prania fizike e punonjësve mund të shoqërohet me vështirësi dhe rreziqe për sigurinë e tyre.
Kalimi në punë në distancë synon të garantojë vijimësinë e funksionimit të administratës publike, pa ekspozuar punonjësit ndaj situatave të mundshme të dhunës apo bllokimit të akseve rrugore.
Ndërkohë, kufizimet në qarkullim dhe ndërprerja e transportit publik në disa zona të kryeqytetit e kanë vështirësuar më tej lëvizjen e punonjësve drejt institucioneve.
Nga informacionet e mbledhura nga Ekofin.al, udhëzimet për punën nga shtëpia janë komunikuar në nivel institucionesh, ndërsa nuk ka ende informacion për një vendim të përgjithshëm që të përfshijë të gjithë administratën publike.
Për momentin, punonjësit e institucioneve të prekura janë udhëzuar të vijojnë punën online deri në një njoftim të dytë, në varësi të zhvillimeve të situatës së sigurisë dhe normalizimit të gjendjes në kryeqytet./et
