Një valë e fortë të nxehti pritet të përfshijë Evropën Qendrore gjatë ditëve në vijim, me temperatura që në disa vende do të arrijnë deri në 40°C. Meteorologët paralajmërojnë se vendet e rajonit, të cilat zakonisht kanë klimë më të freskët, nuk janë të përgatitura për kushte kaq ekstreme.
Sipas parashikimeve, Budapesti mund të regjistrojë temperatura deri në 40°C, Praga dhe Bratislava deri në 39°C, ndërsa në disa pjesë të Bullgarisë termometri mund të shënojë 41°C. Rajoni do të përballet gjithashtu me net tropikale, ku temperaturat nuk do të bien nën 20°C, duke e vështirësuar rikuperimin e organizmit nga nxehtësia.
Ekspertët theksojnë se shumë ndërtesa në Evropën Qendrore janë ndërtuar për klimë më të ftohtë dhe nuk kanë sisteme efektive ftohjeje. Përdorimi i kufizuar i kondicionerëve dhe infrastruktura e papërshtatur rrisin rrezikun për qytetarët, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat ekstreme mund të ushtrojnë presion mbi spitalet dhe shërbimet e emergjencës, ndërsa shkollat dhe institucionet publike mund të detyrohen të ndryshojnë oraret ose të mbyllen përkohësisht. Nxehtësia pritet të ndikojë edhe në transportin hekurudhor, sektorin e ndërtimit dhe bujqësinë.
Ndërkohë, vendet e Evropës Perëndimore, si Franca dhe Spanja, të cilat janë përballur prej ditësh me temperatura rekord, kanë zbatuar masa të shumta për të zbutur efektet e vapës, përfshirë strehimore klimatike, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe kufizime për punën në ambient të hapur./ kb
