Last Updated on 16/11/2025 by Kesjana
Psikologu dhe shkrimtari i njohur Walter Riso, një nga zërat më me ndikim në botën hispanike për psikologjinë dhe marrëdhëniet, ka hapur sërish debat në rrjetet sociale me një reflektim që sfidon mënyrën se si njerëzit zgjedhin partnerin.
Sipas tij, shumë njerëz tregohen më të kujdesshëm kur blejnë një banesë sesa kur vendosin të martohen. “Gabojmë më shumë kur martohemi sesa kur blejmë një apartament”, thotë Riso në një video të publikuar në TikTok. “Kur blen një apartament, bën një analizë të hollësishme: sheh orientimin e diellit, fqinjët, taksat… Në dashuri nuk e bëjmë këtë, edhe pse duhet.”
Edhe dashuria kërkon metodë dhe reflektim
Riso i referohet filozofit dhe psikoanalistit Erich Fromm, i cili theksonte se dashuria është një aftësi që mësohet dhe ushtrohet, jo një ndjenjë e çastit. “Siç thoshte Fromm, të duash është një aftësi po aq serioze sa të jesh inxhinier. Prandaj duhet të dish nëse personi tjetër të meriton dhe nëse ti e meriton atë”, shpjegon ai.
Psikologu thekson se, njësoj siç vlerësojmë rreziqet e një investimi, duhet të analizojmë me kujdes vlerat dhe sjelljet e personit me të cilin synojmë të ndajmë jetën.
Vlerat nuk negociohen
Një nga pikat qendrore të mendimit të tij është rëndësia e njohjes dhe respektimit të vlerave personale para se të hyhet në një lidhje serioze. “Nëse unë kam vlerën e mosdhunës dhe shoh që ai person, qoftë edhe një herë të vetme, shpërthen në nerva, godet karrigen ose hedh diçka në mur, vetëm nga kjo nuk mund të vazhdoj më”, thekson Riso.
Ai kujton se shenjat e para të agresivitetit apo mungesës së respektit nuk duhen shpërfillur, pavarësisht justifikimeve emocionale që mund t’i bëjmë vetes.
Sa i përket idesë që “duhet t’i japim një shans tjetër”, Riso e vë në dyshim duke cituar Aristofanin: “Nëse të mashtrojnë një herë, faji është i tyre; po të mashtrojnë dy herë, faji është i imi.”
*Dashuria pa vetëdije të plotë është terren gabimesh*
Sipas psikologut, një marrëdhënie e shëndetshme nuk ndërtohet mbi impulsin apo frikën, por mbi vetëdijen, kufijtë dhe koherencën personale. Dashuria e pjekur emocionalisht vjen prej ndershmërisë dhe respektimit të vetes, dhe jo nga frika e vetmisë ose nevoja për miratim.
“Duhet të dish nëse personi tjetër të meriton dhe nëse ti e meriton atë”, përsërit Riso, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve të qarta dhe të ushtrimit të arsyes në çështjet e zemrës./kb
