Nga Leonard Veizi
Në altarin e fjalës së shkruar, aty ku e vërteta shpesh përplaset me harresën dhe guximi matet me pushtetin, ekziston një emër që ka marrë përmasa simboli: Pulitzer…
…Më 4 qershor 1917, gazetaria hyri në një epokë të re. Ajo që deri atëherë shihej si raportim i përditshëm, filloi të matet me standarde më të larta: me guxim, me investigim dhe me mjeshtëri shkrimi. Nga ai çast, fjala e shkruar nuk ishte më vetëm dëshmi e ngjarjes. Ajo u bë kurorë. Dhe ajo kurorë mban ende një emër: Pulitzer.
Xhozef Pulicer – njeriu pas legjendës
Historia e këtij çmimi nuk mund të ndahet nga jeta e njeriut që i dha emrin, Xhozef Pulicer. I lindur në Hungari më 1847 në një familje me origjinë hebreje, Pulicer emigroi në Shtetet e Bashkuara si një i ri pa pasuri, por me një ambicie të qartë: të ndërtonte diçka përmes fjalës së shkruar. Ai u shndërrua shpejt në një nga figurat më të fuqishme të shtypit amerikan, duke drejtuar gazeta si “St. Louis Post-Dispatch” dhe famëmadhen “New York World”.
Pulicer ndryshoi mënyrën se si lexohej gazetaria. Ai solli investigimin e thelluar, historitë njerëzore në qendër të vëmendjes dhe një stil që nuk i shërbente vetëm lajmit, por publikut. Në një kohë kur shtypi ishte shpesh zë i elitave ose humbiste pas sensacioneve të ditës, ai e ktheu atë në zë të qytetarit dhe mbrojtës të interesit publik.
Në testamentin e tij, Pulicer la një vizion të qartë dhe një fond të konsiderueshëm financiar: krijimin e së parës shkollë pasuniversitare të gazetarisë në botë dhe të një sistemi çmimesh që do të nderonte mendjet më të forta në fushën e fjalës së shkruar.
Nga viti 1917 e sot
Nën administrimin e “Columbia University”, në vitin 1917 u zhvillua ceremonia e parë e Çmimeve “Pulitzer”. Në fillim, kategoritë ishin të kufizuara vetëm në katër fusha të gazetarisë, historisë dhe letërsisë. Por ideja ishte e madhe që në lindje.
Me kalimin e kohës, çmimi u zgjerua bashkë me vetë botën e medias, teknologjisë dhe artit. Sot, Pulitzer përfshin 22 kategori të ndryshme, ku spikasin:
-Gazetaria investigative dhe raportimi shpjegues.
-Fotografia dokumentare dhe ajo e lajmit të fundit.
-Analiza, kritika, komenti dhe editorialet.
-Letërsia, biografia, drama, poezia, si dhe muzika akademike.
Pse “Pulitzer” ndryshoi historinë
“Pulitzer “nuk është vetëm një çmim, por mbi të gjitha një standard i ndikimit që fjala mund të ketë mbi shoqërinë. Në gazetari, ai ka nderuar reportazhe që kanë rrëzuar qeveri, kanë zbuluar korrupsion galopant, padrejtësi sociale dhe krime lufte, duke dëshmuar se shtypi është “pushteti i katërt” dhe një mekanizëm kontrolli ndaj të fuqishmëve. Në letërsi e arte, ka kurorëzuar vepra që kanë hyrë në kujtesën kolektive si dëshmi të kohës dhe shpirtit njerëzor.
Pulitzer është, në thelb, një kujtesë se fjala nuk është kurrë neutrale. Ajo mund të zbulojë, të ndryshojë dhe të ndërtojë histori.
Një kurorë që nuk zbehet
Më shumë se një shekull pas lindjes së tij, Çmimi “Pulitzer” mbetet standardi më i lartë i ekselencës në botë. Ai është trashëgimia e gjallë e një emigranti që besoi se fjala e shkruar ka peshën e një force të madhe shoqërore. Nga një amanet personal, ai u shndërrua në një institucion global. Dhe sot, çdo Pulitzer i dhënë është një kujtesë e thjeshtë, por e fuqishme: se fjala, kur përdoret me guxim dhe përgjegjësi, mund të bëhet kurorë.
