Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur shqetësim për ngadalësimin e ekonomisë së vendit, duke theksuar se treguesit kryesorë makroekonomikë janë përkeqësuar gjatë muajve të fundit.
Sipas deklaratave të tij, performanca ekonomike ka qenë në rënie për dy muaj radhazi, ku Prodhimi i Brendshëm Bruto ka pësuar një tkurrje prej 1.8 për qind në muajt janar dhe shkurt. Sektorët më të prekur rezultojnë të jenë industria përpunuese, prodhimi industrial në tërësi, si dhe sektori i ndërtimit, i cili konsiderohet me rëndësi kyçe për ekonominë ruse.
Gjatë një mbledhjeje me zyrtarë të lartë ekonomikë, Putin kërkoi analiza të detajuara mbi situatën aktuale dhe arsyet pse rezultatet janë nën pritshmëritë e ekspertëve, por edhe nën parashikimet e vetë qeverisë dhe Bankës Qendrore të Rusisë.
Ai theksoi nevojën për masa konkrete për të rigjallëruar rritjen ekonomike, duke kërkuar propozime që mbështesin biznesin, nxisin iniciativat private dhe përmirësojnë strukturën e punësimit, me fokus në sektorë që gjenerojnë vlerë të shtuar më të lartë.
Deklaratat e presidentit rus vijnë në një moment sfidues për ekonominë e vendit, ndërsa autoritetet përballen me presione të brendshme dhe të jashtme për të rikthyer stabilitetin dhe rritjen ekonomike./mxh
