Kryeprokurori Olsian Çela ishte sot i pranishëm në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë.
Ndër të tjera, Çela u ndal edhe te një shqetësim që lidhet me afatin kohor që do të marrë realizimi i plotë i procesit, duke kujtuar se gjatë kësaj kohe duhen marrë parasysh edhe nevojat e këtyre institucioneve.
“Do ta vlerësoja shumë pozitivisht këtë proces që ka nisur. Ka disa vite që ne bëjmë përpjekje të përbashkëta për sistemin gjyqësor, për gjetjen e një zgjidhjeje për prokuroritë e Shkallës së Parë dhe Gjykatave të Apelit. Procesi dukej sikur kishte ngecur, por ka pasur një pikënisje dhe është një proces mjaft serioz e vizionar. Mendoj se është zgjidhje afatagjatë dhe moderne. U përgjigjet atyre që pak a shumë janë nevojat tona, edhe duke pasur një fleksibilitet. I vetmi shqetësim që kam dhe që e kam biseduar edhe me ministrin është që, duke pasur parasysh afatet që duhen për zhvillimin e projektit, deri në zhvillimin e tij, do të duhet njëkohësisht të marrin në konsideratë edhe nevojat që mund të kenë këto institucione deri në mbërritjen në pikën finale”,-tha Çela./Kb
