Nga Veronica Esposito
Muzika qëndron në zemër të asaj që na bën njerëz. Edhe pse studiuesit vazhdojnë të debatojnë se përse njerëzit nisën fillimisht të krijonin muzikë – qoftë për gjueti, komunikim, rite shpirtërore apo forcimin e lidhjeve shoqërore – një gjë nuk vihet në diskutim: muzika është diçka ku ne investojmë thellësisht veten, duke krijuar marrëdhënie intime me instrumentet tona.
Ekspozita e re e Muzeut Metropolitan të Artit (Met) në Nju Jork, “Musical Bodies” (“Trupat Muzikorë”), shqyrton 4 mijë vjet histori muzikore, duke zbuluar rrjetin kompleks të marrëdhënieve midis tingujve që prodhon trupi i njeriut dhe instrumenteve të shumta që ai ka krijuar për t’i ndryshuar, zgjeruar apo pasuruar këta tinguj. Nga këndimi, fishkëllima dhe ritmet trupore, deri te një gamë e gjerë objektesh të ndërtuara, ekspozita paraqet një eksplorim të pasur mbi mënyrën se si identiteti ynë muzikor ndihmon në përcaktimin e vetë nocionit të të qenit njeri.
Sipas kuratorit të ekspozitës, Bredli Strauhen-Sherer, ideja lindi gjatë rinovimit të galerive të muzeut, kur atij iu desh të transportonte me dorë rreth 600 instrumente muzikore nga koleksioni i Met-it.
“Si kurator, natyrisht që e njeh mirë koleksionin tënd,” thotë ai. “Por kur i mora një e nga një në duar dhe i vështrova nga afër, fillova të mendoj për fijet e përbashkëta që i lidhin të gjitha.”
Katër mijë vjet histori në një ekspozitë
Këto lidhje përshkojnë mijëra vite histori njerëzore dhe gjashtë kontinente. Vizitori kalon nga daullet afrikane te kastanetat e Egjiptit të lashtë, nga kitarat androgjene të Prinsit te violinat gjermane të Rilindjes, nga kangling-u tibetian deri te dorezat moderne MiMu Midi që e shndërrojnë lëvizjen në tingull.
Në thelb të ekspozitës qëndron ideja se instrumentet muzikore janë depozita të dëshirave, identitetit dhe imagjinatës sonë. Në formën, zbukurimet dhe tingullin e tyre është derdhur krijimtaria njerëzore, duke i kthyer ato në zgjatime të vetes sonë.
Kitara simbol e Prinsit
Një nga objektet më tërheqëse është kitara e famshme “simbol” e këngëtarit Prins, e porositur prej tij në vitin 1993 dhe e përdorur në shumë performanca skenike.
Në pamje të parë ajo ngjan me një kombinim të trombës dhe simboleve të Venusit e Marsit, të lidhura tradicionalisht me femrën dhe mashkullin. Për shumë vite është thënë se simboli lindi gjatë konfliktit të Prinsit me kompaninë diskografike, kur ai zëvendësoi emrin e tij me atë shenjë.
Por Strauhen-Sherer shpjegon se realiteti ishte më kompleks.
“Qysh përpara konfliktit me kompaninë diskografike, Prinsi po kërkonte mënyra për të shprehur tërësinë mashkullore dhe femërore në artin e tij,” thotë ai. “Mjafton të kujtojmë vargjet e këngës I Would Die 4 U: ‘Nuk jam grua, nuk jam burrë, jam diçka që nuk do ta kuptoni kurrë’. Ato përmbledhin gjithçka.”
Zëri – instrumenti i parë
Kur flitet për shprehjen personale, nuk ka instrument më themelor se zëri i njeriut.
“Zëri është tingulli i parë që prodhojmë kur vijmë në jetë,” thotë kuratori. “Në shumë kultura ai konsiderohet modeli që çdo instrument tjetër përpiqet të arrijë.”
Pikërisht për këtë arsye, nxënësit e muzikës shpesh mësojnë paralelisht të këndojnë dhe të luajnë instrumente, sepse kuptimi i zërit njerëzor pasuron interpretimin muzikor.
Ekspozita i kushton vëmendje edhe grupit të njohur të hip-hopit Beatbox House, anëtarët e të cilit arrijnë të imitojnë bateri të tëra vetëm me gojë. Në përpjekje për të zëvendësuar instrumentet që shpesh ishin të paarritshme financiarisht për pionierët e hip-hopit, beatbox-i krijoi mundësi krejtësisht të reja për përdorimin e zërit.
Një tjetër protagoniste është Molly Lewis, kampione ndërkombëtare e fishkëllimës, e cila u bë e njohur globalisht falë kolonës zanore të filmit Barbie në vitin 2023.
Sipas Strauhen-Sherer, fishkëllima lindi fillimisht si mjet komunikimi praktik.
“Njerëzit fishkëllenin për të komunikuar në distancë,” shpjegon ai. “Është një tingull që dëgjohet larg.”
Muzika, joshja dhe simbolika seksuale
Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës trajton lidhjen historike midis instrumenteve muzikore dhe ritualeve të joshjes.
Në shumë kultura, instrumentet kanë shërbyer si simbole erotike dhe seksuale. Vetë mbajtja ose përdorimi i tyre mund të ketë pasur kuptime të nënkuptuara.
Një shembull është gravura japoneze e shekullit XIX “Bun’ya no Asayasu” nga Utagava Kunisada, ku një grua paraqitet duke mbajtur në mënyrë sugjestive një flaut shakuhachi.
“Në kulturën japoneze, ashtu si edhe në Perëndim deri jo shumë kohë më parë, konsiderohej tabu që gratë të luanin instrumente frymore,” shpjegon kuratori. “Vetë akti mbante ngarkesa të forta simbolike.”
Po kështu, piktura e njohur “Muzikantja” e piktorit holandez të shekullit XVII Bartolomeus van der Helst paraqet një grua duke akorduar një lahutë.
“Skena është qartësisht alegorike,” thotë Strauhen-Sherer. “Akordimi i një instrumenti muzikor ka qenë prej kohësh metaforë për paralojën erotike.”
Muzika si pjesë e identitetit njerëzor
Në fund, kuratori shpreson që vizitorët të largohen me një vlerësim të ri për muzikën, e cila sot shpesh merret si e mirëqenë, e pranishme në çdo dyqan, kafene apo platformë transmetimi.
“Shpresoj që kjo ekspozitë ta vendosë sërish muzikën në qendër të vëmendjes,” thotë ai. “Dua që njerëzit ta shohin muzikën si diçka themelore për identitetin njerëzor. Muzika është për të gjithë ne, sepse në njëfarë mënyre, secili prej nesh është vetë një instrument.”
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
