Qeveria shqiptare synon të marrë një hua prej 200 milionë dollarësh nga Banka Botërore për të financuar një paketë reformash që synon rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, me fokus tek ekonomia e mbështetur nga turizmi.
Kredia, e planifikuar për miratim në janar 2027, do të administrohet nga Ministria e Financave në formën e një Financimi të Politikave të Zhvillimit (Development Policy Financing -DPF).
Sipas dokumentit të Bankës Botërore, financimi synon të mbështesë përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes forcimit të konkurrueshmërisë së sektorit privat në afat të shkurtër dhe ndërtimit të bazave për një rritje të qëndrueshme në afat të mesëm. Objektivi është krijimi i më shumë vendeve të punës dhe rritja e pagave në ekonominë shqiptare të orientuar nga turizmi.
Ekonomia turistike dhe rritja afatgjatë
Programi mbështetet mbi dy shtylla kryesore. Shtylla e parë fokusohet në ndërtimin e një ekonomie turistike më konkurruese dhe më të qëndrueshme. Ajo përfshin hapjen e tregut të shërbimeve turistike për më shumë operatorë, vendosjen e standardeve të detyrueshme të cilësisë dhe higjienës mjedisore për të gjitha kategoritë e akomodimit, krijimin e një National Single Window (dritare të vetme) për procedurat kufitare dhe harmonizimin e kontrolleve ushqimore me standardet e Bashkimit Evropian.
Paketa përfshin gjithashtu reforma për menaxhimin e mbetjeve, zgjerimin e pagesave elektronike dhe përmirësimin e aksesit në financim për bizneset dhe prodhuesit bujqësorë përmes modernizimit të sistemit të informacionit të kredisë dhe regjistrimit elektronik të kolateralit.
Sipas Bankës Botërore, rezultatet e pritshme të kësaj shtylle janë rritja e të ardhurave nga turizmi, formalizimi dhe përmirësimi i cilësisë së sektorit, lehtësimi i tregtisë ndërkufitare përmes shkëmbimit elektronik të të dhënave, zgjerimi i përdorimit të pagesave dixhitale dhe përmirësimi i aksesit në financim për ndërmarrjet dhe fermerët.
Shtylla e dytë synon të ndërtojë bazat afatgjata për vende pune me paga më të larta dhe rritje ekonomike. Ajo përfshin krijimin e bazës ligjore për shkollat me orar të plotë në arsimin fillor publik, ngritjen e Fondit Kombëtar të Efiçencës së Energjisë për të mbështetur familjet në nevojë, rritjen e transparencës në koncesione dhe partneritetet publike-private, si dhe reforma për zhvillimin e tregjeve financiare dhe zgjerimin e mbrojtjes së depozitave bankare.
Banka Botërore pret që kjo shtyllë të zgjerojë aksesin në shkollimin me orar të plotë dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, të mobilizojë investime në efiçencën e energjisë për familjet në rrezik të varfërisë energjetike, të forcojë transparencën fiskale dhe të nxisë investimet private, ndërsa synon gjithashtu një sektor financiar më të thelluar përmes zgjerimit të sigurimit të depozitave, zhvillimit të tregut të sigurimeve dhe rritjes së likuiditetit të tregut të kapitaleve.
Dokumenti thekson se reformat janë të lidhura me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe mbështesin drejtpërdrejt angazhimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa parashikohet që programi të bashkëfinancohet edhe nga partnerë të tjerë të zhvillimit./monitor-ad
