Tregu i qiradhënies së pronave në vend po zgjerohet me ritme të shpejta, pasi gjithnjë e më shumë individë po zgjedhin të japin banesat e tyre me qira, si për periudha të shkurtra ashtu edhe për afate më të gjata.
Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat nga tatimi mbi qiratë kanë shënuar rritje, duke arritur në 5.8 miliardë lekë gjatë vitit 2025, nga 5.3 miliardë lekë një vit më parë.
Kjo përfaqëson një zgjerim prej 8.5%. Në të njëjtën linjë është rritur edhe baza e tatueshme, e cila arriti në 38.6 miliardë lekë, rreth 3 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2024. Kjo tregon jo vetëm rritje të numrit të kontratave të deklaruara, por edhe shtrenjtim të qirave dhe përditësim të vlerave të referencës.
Tatimi mbi të ardhurat nga qiraja aplikohet në masën 15% dhe mbahet në burim. Procedura ndryshon në varësi të palëve: kur një individ ia jep pronën me qira një biznesi, është qiramarrësi ai që mban dhe paguan tatimin. Ndërsa kur prona jepet me qira një individi tjetër, detyrimi për deklarim dhe pagesë bie mbi pronarin. Në praktikë, kjo shpesh lidhet me formalizimin e kontratës dhe regjistrimin e saj pranë institucioneve përkatëse.
Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në zonat urbane dhe bregdetare, ka bërë që shumë persona të mos kenë mundësi blerjeje dhe t’i drejtohen qirasë. Si pasojë, kërkesa është rritur ndjeshëm, duke ushtruar presion mbi çmimet.
Një pjesë e konsiderueshme e banesave është zhvendosur nga qiraja afatgjatë drejt asaj ditore për turistët. Numri i apartamenteve që jepen me qira afatshkurtër është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në mbi 26 mijë njësi në vitin 2025, krahasuar me rreth 21 mijë një vit më parë dhe vetëm rreth 6 mijë në fillim të vitit 2021.
Të ardhurat e gjeneruara nga këto njësi kanë arritur në rreth 134 milionë euro në vitin 2025, duke shënuar nivel rekord dhe rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin pararendës.
Ky orientim drejt qirave ditore ka ulur ofertën e banesave për qira afatgjatë, sidomos në kryeqytet dhe zonat turistike gjatë sezonit veror. Si rrjedhojë, çmimet mujore janë rritur ndjeshëm. Aktualisht, qiratë më të ulëta në periferi fillojnë nga 250-300 euro, ndërsa në zonat më qendrore variojnë nga 500 deri në 1000 euro në muaj. Për vilat, kostot mund të shkojnë nga 300 deri në 5 000 euro në muaj.
Rritja e vazhdueshme e popullsisë në zonat urbane për arsye punësimi dhe arsimimi e mban kërkesën të lartë, pavarësisht shtimit të ndërtimeve të reja.
Ndërsa për pronarët dhe buxhetin e shtetit kjo situatë përkthehet në më shumë të ardhura, për qiramarrësit, veçanërisht të rinjtë dhe familjet e reja, ajo përbën një barrë gjithnjë e më të rëndë financiare, duke e bërë qiramarrjen shpesh të papërballueshme./Marrë nga Monitor/kb
