Në datat 16–18 prill 2026, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington, D.C., SHBA.
Shqipëria u përfaqësua në këto takime me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë – me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, zj. Holta Zaçaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të saj – dhe nga Ministria e Financave – me përfaqësues Ministrin, z. Petrit Malaj, Zëvendësministrin, z. Endrit Yzeiraj, dhe drejtues të tjerë të kësaj ministrie.
Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Riccardo Ercoli; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; Asistentedrejtoren e Departamentit të Tregjeve Kapitale dhe Monetare, zj. Mary Goodman; Shefin e Misionit të FMN-së, z. Diego Cerdeiro, Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli; si dhe Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, zj. Xiaoqing Yu.
Gjatë këtyre takimeve u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Shqipëri, politikat makroekonomike, si dhe zhvillimet në sektorin financiar e atë bankar.
Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë një ecuri pozitive, e mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave. Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërsa zhvillimet e fundit sugjerojnë një rikthim gradual të tij drejt objektivit gjatë vitit 2026.
Guvernatori nënvizoi përmirësimin e ndjeshëm të shëndetit financiar të sektorit bankar, i cili vijon të karakterizohet nga stabilitet dhe likuiditet i lartë, me norma të ulëta interesi dhe një rritje të qëndrueshme të kreditimit për sektorin privat. Këto kushte kanë mbështetur konsumin dhe investimet, duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.
Në lidhje me perspektivat e ardhshme, Guvernatori u shpreh se pasiguritë në mjedisin e jashtëm lidhur me zhvillimet gjeopolitike dhe luhatjet në çmimet e energjisë, mbeten rreziqe të rëndësishme për ecurinë ekonomike dhe kërkojnë një vëmendje të shtuar në vijim. Sidoqoftë ai siguroi se autoritet shqiptare mbeten të angazhuara për të përballuar situatën.
Gjatë takimeve me përfaqësues të Departamenteve të ndryshme të FMN-së, u diskutua mbi asistencën teknike për projektligjin e ri të Bankës së Shqipërisë dhe përafrimin e tij me acquis-në e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe progresin e bërë në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional të bankës qendrore.
Guvernatori Sejko zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të Bankës Botërore dhe IFC-së, ku u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar dhe projektet në mbështetje të tij. Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar dhe ecurinë pozitive të reformave, duke theksuar rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit për projekte strategjike, veçanërisht për modernizimin e sistemit të pagesave dhe përafrimin me standardet evropiane.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan progresin e arritur nga Shqipëria në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe nënvizuan rëndësinë e vijimit të politikave të kujdesshme për të përballuar rreziqet e jashtme.
Gjithashtu, ata theksuan vlerësimin e fundit të ekonomisë shqiptare nga Moody’s me “Ba3”, me perspektivë të qëndrueshme, çka reflekton qëndrueshmërinë e saj përballë sfidave të jashtme, si dhe progresin e arritur në drejtim të stabilitetit makroekonomik dhe konsolidimit fiskal.
Në kuadër të diskutimeve rajonale, Guvernatori mori pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi progresin në zbatimin e SEPA-s dhe projektit TIPS Clone. Pjesëmarrësit vlerësuan angazhimin e vendeve të rajonit për të avancuar drejt integrimit të tregjeve të pagesave dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për rritjen e efikasitetit dhe ndërveprueshmërisë së sistemeve të pagesave, me një ndikim të drejtëpërdrejtë te konsumatori fundor.
Gjithashtu Guvernatori Sejko mori pjesë në takimin me dyer të mbyllura me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, si folës kryesor i panelit, ku ndau vlerësime mbi sfidat aktuale në një mjedis me pasiguri të lartë gjeopolitike.
Gjatë fjalës, Guvernatori theksoi tre mesazhe kryesore: Së pari, Shqipëria ndodhet në një pozicion më të fortë falë përmirësimit të qëndrueshmërisë makroekonomike, stabilitetit financiar dhe reformave strukturore të ndërmarra gjatë dekadës së fundit. Së dyti, pavarësisht këtyre arritjeve, nevojitet vigjilencë dhe reagim i kujdesshëm e në kohë ndaj zhvillimeve të reja, për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Së treti, u theksua rëndësia e koordinimit ndërkombëtar, duke vlerësuar bashkëpunimin mes institucioneve dhe nevojën për forcimin e dialogut dhe koordinimit të politikave në një ekonomi gjithnjë e më të ndërlidhur.
Pjesëmarrësit në këtë panel shprehën nevojën për koordinim më të ngushtë të politikave ekonomike dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional për përballimin e sfidave të përbashkëta.
Në të gjitha takimet, Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e vijimit të politikave të kujdesshme makroekonomike për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare, si dhe rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit evropian të vendit.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në aktivitete e tryeza diskutimi të nivelit të lartë, me qëllim zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucione të ndryshme financiare dhe promovimin e Shqipërisë./Monitor/kb
