Last Updated on 01/12/2025 by Monika
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot një fjalim të ashpër përpara protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun për korrupsion dhe kapje të shtetit. Ai e cilësoi vendin e protestës si “sheshin e lirisë”, një hapësirë ku shqiptarët po ngrihen kundër një “bande të zhytur në krim dhe vjedhje”.
“Ky është sheshi i guximtarëve që po përzënë nga pallatet e pushtetit një bandë të zhytur në krim dhe vjedhje, ndër më të rëndat në historinë e këtij kombi,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike dhe institucionale, duke e cilësuar situatën si “një ndër më të paimagjinueshmet”. Sipas Berishës, hetimet ndaj Ballukut dhe akuzat për dëm ekonomik prej 50 milionë eurosh ekspozojnë drejtpërdrejt përgjegjësinë e Ramës, të cilin e quajti “hajduti më i madh në historinë e shqiptarëve”.
Berisha apeloi që qytetarët të qëndrojnë të bashkuar në shesh, duke mbajtur qëndrim të vendosur kundër qeverisë dhe duke kërkuar llogaridhënie për çdo rast korrupsioni dhe keqpërdorimi të pushtetit./mxh
