Last Updated on 27/09/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama pritet të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 13:00, pas vizitës disa ditore në Nju Jork, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Menjëherë pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, Rama pritet t’u drejtohet shqiptarëve nga salla e shtypit e aeroportit, një dalje e pazakontë për kreun e qeverisë. Njoftimi për këtë komunikim u bë nga zyra e shtypit e Kryeministrisë, e cila fillimisht bëri të ditur se ora e adresimit do të përcaktohej në varësi të orarit të fluturimit nga Nju Jorku.
Njoftimi i papritur ka nxitur gjatë orëve të fundit një sërë hamendësimesh në qarqet politike dhe mediatike në Tiranë mbi atë që kryeministri mund të deklarojë.
Në diskutimet publike janë hedhur skenarë të ndryshëm, nga mundësia e njoftimit për zgjedhje të parakohshme, te një ndryshim i mundshëm në qeveri apo edhe dorëheqja e kryeministrit. Megjithatë, deri në këto momente, këto mbeten vetëm aludime dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Interesi për deklaratën e Ramës vjen në një moment kur qeveria ndodhet nën presion të fortë politik dhe mediatik për shkak të zhvillimeve të fundit, veçanërisht çështjes që lidhet me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe komunikimeve të bëra publike me biznesmenin Ergys Agasi. Hyseni ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi”, ndërsa çështja është nën hetim nga SPAK.
Paralelisht, prej muajsh vijojnë protesta dhe reagime politike kundër qeverisë, të cilat kanë shtuar presionin publik ndaj mazhorancës.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë nuk është përcaktuar tema e mesazhit të Ramës dhe nuk është bërë e ditur nëse ai do të flasë për zhvillimet e fundit politike, për situatën në qeveri apo për një çështje tjetër.
Për këtë arsye, vëmendja tashmë është përqendruar te dalja e kryeministrit në Rinas, ku pritet të zbardhet edhe përmbajtja e mesazhit që ka prodhuar kaq shumë diskutime që prej njoftimit të tij./ad
