Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”, deklaroi se Forcat e Armatosura kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi, që sipas tij nuk lidhet vetëm me fuqizimin e mbrojtjes, por edhe me rilindjen e industrisë ushtarake në vend.
Rama theksoi se partneriteti me kompaninë Fincantieri është zgjeruar, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë.
Sipas tij, në kantierin e ri të Pashalimanit do të krijohet një bazë prodhuese që do të kërkojë rreth 500 të rinj dhe të reja për punësim, duke e bërë të domosdoshëm trajnimin e tyre paraprak.
“Kemi hyrë në një fazë të re në historinë e Forcave të Armatosura. Nuk bëhet fjalë vetëm për fuqizimin e sistemit mbrojtës, por për rilindjen e industrisë ushtarake. Në kantierin e ri të Pashalimanit do të nevojiten 500 të rinj, ndaj kemi nisur bashkëpunimin për trajnimin e tyre”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se synimi është krijimi i një zinxhiri të qëndrueshëm profesional për industrinë e mbrojtjes në vend./kb
