Last Updated on 12/06/2026 by Monika
Partia Socialiste ka festuar sot 35-vjetorin e krijimit të saj në një aktivitet të zhvilluar në sheshin “Italia” në Tiranë, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i kësaj force politike.
Në përfundim të aktivitetit, Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga takimi, ku shihet numri i madh i pjesëmarrësve, të shoqëruar me mesazhin: “Faleminderit vetëm përpara”.
Më herët, në fjalimin e tij para mbështetësve, kryeministri u ndal te debatet e ditëve të fundit lidhur me projektet e investimeve në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, të cilat sipas tij synojnë zhvillimin turistik dhe ekonomik të vendit.
Ai theksoi se këto nisma kanë ngjallur diskutime publike, por duhet të vlerësohen, sipas tij, në funksion të interesit afatgjatë ekonomik të Shqipërisë.
Në këtë kontekst, Rama ftoi protestuesit që të njihen nga afër me dokumentacionin dhe faktet mbi projektet e propozuara, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe ballafaqimit të argumenteve.
“Ishulli nuk shitet dhe nuk jepet me qira, por mbetet pronë e shtetit shqiptar, ndërsa shteti synon të jetë partner në investime që sjellin zhvillim dhe përfitim publik”, u shpreh ai./mxh
