Last Updated on 02/02/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama i ka vënë syrin mandatit të pestë nëpërmjet mandatit të katërt që sipas projeksioneve dhe sondazheve do të fitojë më 11 Maj.
Qëllimi i tij mbetet Shqipëria më 2030 në BE dhe me votën e këtij mandati do i kërkojë shqiptarëve edhe atë të radhës, për t’u kthyer edhe si faktor politik, me një lojë edhe gati “diabolike’. Por Rama duhet t’i thoshte të rinjve në Kuvendin Rinor të PS-së ditën e djeshme (1 Shkurt), se pse çmimet janë ngritur në Shqipëri dhe janë më shtrenjtë se në vendet e Europës.
Ky është mendimi i juristit dhe analistit Kreshnik Spahiu për fjalimin e mbajtur nga kryeministri para të rinjve, por edhe panoramën politike ku disa video virale mbi fjalimet e të rinjve kujtuan se edhe pas 34 vitesh individi është i lidhur dhe “shpreh dashurinë për partinë”, si para viteve 90-të.
Juristi mendon se Rama do fitojë jo vetëm zgjedhjet e 11 Majit, por do tentojë të sigurojë 93 mandate deputetës edhe në koalicion, për të mundësuar ndryshime Kushtetuese. Për ‘non gratën’ e Berishës ndaui lajmin se Britania e Madhe dhe SHBA së shpejti do konfirmojnë qëndrimin e tyre kundër kreut të PD-së.
Kurse në Kosovë nuk e sheh Albin Kurtin kryeministër pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit, sepse do e ketë të pamundur të marrë mbi 50% të votave.
“Model që nuk del jashtë standardit të PS-së. Janë bërë virale disa nga fjalimet dhe realisht ndjeva keqardhje. Më me vjen keq se pas 34 vitesh nuk mund të ketë kaq dashuri për partinë, si në kohën e regjimit, videot virale me slogane ku shprehnin dashurinë për PS-në. U bënë virale videot e të rinjve që shprehin dashurinë për PS. Kishte edhe fjalime me maturi, si ai i një vajze që fliste për meritokracinë dhe mesazh që i drejtohej kryeministrit Rama për mënyrën se si ndalet shpopullimi, jo me një urdhër që të mos largohen, por me projekte dhe oferta. Kryeministri është fokusuar te vota e emigrantëve, rinia. Por ai duhet t’i përgjigjet vetëm një pyetje, një fjali duhet të thoshte.
Pse Shqipëria është më e shtrenjtë se Gjermania dhe Europa, pse shqiptarët blejnë më shtrenjtë aty se në Europë, pse jeta është më e shtrenjtë aty se në Itali, ose hapja e biznesit has burokraci. Pse shqiptarët e shohin më të vështirë aty, sesa në Europë. Kryeministri me një fjali duhet të shpjegojë pse Shqipëria është më e shtrenjtë, për të blerë ushqimet më bazike, pse duhet të kesh tre-katërfishin e një rroge për t’ia dalë”, u shpreh Spahiu.
Por në mesazhin e kreut të mazhorancës, juristi sheh hedhjen para qytetarëve dhe elektoratit figurat e Sali Berishës dhe Ilir Metës si të anatemuara dhe të vjetëruara.
Por sheh të vështirë edhe ngritjen e partive të reja, kjo për shkak të mungesës së sinancimeve dhe garës së pabarabartë me partitë e mëdha.
“Mesazhi politik është që ju mos zgjidhni Berishën dhe Metën, se janë anatemuar, janë të vjetër. Të ndërtosh sot një parti që t’i rivalizojë PD e PS duhet të kesh miliona euro, kur ato të mëdhatë marrin miliona euro nga buxheti dhe oligarkët. T’i mund të kesh parti të fuqishme, por gara është e pabarabartë në këtë pikë. Nëse bëhet sondazh, shumë pak shqiptarë votojnë sipas programit, madje as kryeministri nuk fokusohet te programet elektorale. Janë bërë qesharakë në mënyrën se si premtojnë, apartamente apo financime për fëmijë të tretë dhe të katërt me 20 mijë euro. Politikanët, kryetarët e partive ironizojnë, tallen me situatën. Ata e dinë se gjykimi është sipërfaqësor, elektorati gjykon vetëm te kryetarët, si të vjetrat edhe partitë e reja, gjykohen vetëm nga kryetari, në mënyrë sipërfaqësore”, shprehet Spahiu.
Më tej ndan mendimin se kryeministri nuk po punon për mandatin e katërt më 11 maj, por për të pestin për ‘Shqipëria 2030 në BE”.
“Rama nuk është nga ata që hedh mesazhe kot. Nuk është vetëm personazh politik karizmatik, por edhe diabolik. Ai është fokusuar për vitin 2030. Ai po bën fushatë për 2 mandate dhe jo për një. Premtimi elektoral është përtej këtij mandati. Ai që tani përgatit fushatën për mandatin e 5-të. Në subkoshiencën e publikut nis e fokusohet viti 2030, dhe me Ramën që thotë po më votuat tani më keni dhënë edhe për 2030, që Shqipëria të hyjë në BE. A është idealist apo mashtrim?
Shqiptarët, sidomos ata që përfaqësojnë PD apo PS nuk është se kanë dashuri të madhe për BE. Unë mendoj se Rama shikon përtej elektoratit shqiptar. Me elektoratin i ka llogaritë të mbyllura. Ai është fokusuar te ata që u thotë se do çojë Shqipërinë në BE. Dhe është përqendruar në politikën e jashtme, të jetë pikë dhe referenca kryesore e Ballkanit Perëndimor, personi kyç për Perëndimin, NATO-n, BE-në dhe SHBA-në”, thotë juristi.
Gjithashtu ai analizon edhe synimet e kryeministrit, që kërkon të bëhet faktor ndërkombëtar për Perëndimin në Ballkan.
“Pra çfarë synon ai, do të jetë personi që shihet si personi stabël në rajon. Perëndimi e shikon Vuçiç të lëkundur, me një këmbë në Rusi e tjetrën në Kinë. Malin e Zi dhe Maqedoninë i sheh nën influencën ruse. Por Rama përfiton edhe nga konflikti i Perëndimit me Albin Kurtin. Rama e sheh veten si lideri më serioz në Ballkan. Rama e shet veten si personi me stabël dhe konstant në lidhje me BE-në dhe SHBA. Sa më shumë hyn në konflikt Altin Kurti me BE dhe SHBA aq më i fortë është Rama. Për këtë arsye Rama është fokusuar te Shqipëria në BE në vitin 2030, ndaj sheh dy mandate të shtrira, përtej 2029. Ai është i bindur se nëse do vijë rotacioni në Shqipëri do vijë nga faktori ndërkombëtar, pra vetëm nëse të hyjë në konflikt me perëndimin. Por ai ka zgjedhur si kundërshtar Berishën dhe në çdo lloj sondazhi është i pamundur rotacioni me Berishën. Një Berishë sot në moshën 80 vjeçare, me parti të përçarë dhe në konflikt me perëndimin e ka të pamundur, ndaj edhe Rama e di këtë ndaj e ka zgjedhur. Ndaj Berisha është me keq dhe i dobët se kur humbi me 1 mln vota”.
Por a mund t’i sigurojë votat për ndryshime kushtetuese pas zgjedhjeve të 11 Majit?
“Ekzistojnë të gjitha gjasat që Rama të shkojë drejt një fitore që ia mundëson ndryshimet kushtetuese, 93 vota, shumica absolute që garanton dhe sjell ndryshime kushtetuese. Nëse merr 87 apo 88 vota, nëse arrin koalicion me Tom Doshin dhe Shpëtim Idrizin apo dhe ndonjë çarje në PD, mundësisht Rama mund të shkojë në legjislaturën e ardhshme në 93 vota.
Edhe më parë, Rama bëri ndryshime ligjore apo të kodit me formula për ndryshime ligjore, kur opozita la mandatet, pas 2017 dhe arriti. Pas 4 mandateve do ketë rrudhje e humbje votash, ka konsumim pushteti dhe në mandatin e pestë do mundohet të bëjë një formulë për koalicion dhe bashkëpunim për mandatin e pestë, do e gjejë një formulë. Ai nuk e mendon largimin tani në moshën 60 vjeç, mosha nuk është arsye për tërheqje, pasi ai mund të mendojë se kundërshtari i tij është 80 vjeç dhe ende në politikë”, shpjegon Spahiu./e.t