Ashtu siç edhe pritej, muaji tetor ka rezultuar tepër efikas për kombëtaren shqiptare. Fitorja historike 0-1 në Leskovac kundër Serbisë dhe performanca fantastike me 4 gola përballë Jordanisë në miqësoren e luksit i kanë sjell pikë maksimale kuqezinjve.
Kombëtarja e Sylvinho-s ka arritur fitore tepër të rëndësishme, duke u reflektuar edhe në renditjen e FIFA-s. Tashmë, Shqipëria ka përmirësuar 5 pozicione, për ta gjetur veten në vendin e 61-të në Botë. Përfaqësuesja jonë ka grumbulluar 20.68 pikë për të lënë pas kombëtare të forta në letër, mes të cilave edhe Jordania e kualifikuar në Kupën e Botës 2026, por edhe Irlandën dhe Maqedoninë e Veriut, e cila zbret e 65-ta në Botë.
Ky përmirësim mund të ndryshojë edhe fatin e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit të vitit të ardhshëm, për t’i vendosur përballë rival më të lehtë në rast të një raundi play-off. Rritje historike e Kosovës. Përfaqësuesja Dardane barazoi ndaj Sllovenisë dhe fitoi kundër Suedisë për tu ngjitur me 7 pozicione. Ekipi i teknikut Franco Foda ndodhet e 84 në Botë. Kreu mbetet pronë e Spanjës, që kryeson renditjen e përgjithshme, ndërsa ndryshime në dy pozicionet e tjera të podit.
Franca ka humbur një vend, për të zbritur e treta në Botë, ndërsa vendi i dytë mbahet nga Argjentina kampione Bote. Holanda ngjitet e 6-ta për të lënë pas Brazilin, ndërsa me një pozicion është përmirësuar Italia e 9-ta, teksa Gjermania rikthehet në 10 pozicionet e para në Botë për të zbritur Kroacinë dhe Marokun. /K.M
