Revista kryesore mjekësore “The Lancet” ka refuzuar kërkesën për të ofruar prova për një hetim të Senatit të SHBA-së mbi origjinën e pandemisë COVID-19.
Në një intervistë për “Reuters”, kryeredaktori i revistës, Richard Horton, është shprehur:
“Kemi marrë një kërkesë për të shkuar dhe për të dhënë dëshmi në një hetim të Senatit, gjë që nuk do ta bëjmë”.
Horton deklaroi se revista nuk do t’i përgjigjej me një administrate që ka sulmuar disa nga shkencëtarët më të shquar të kohës, duke përmendur trajtimin nga administrata e Presidentit Donald Trump të një ish-zyrtari të lartë shëndetësor amerikan, Anthony Fauci. Ai është përballur me kërcënime që atëherë, si dhe me zemërimin e Trump dhe republikanëve të tjerë. Trump anuloi mbrojtjen federale të sigurisë së Fauci-t vitin e kaluar.
Horton shkroi në shkurt se revistës Lancet i ishte kërkuar në dhjetor 2025 të siguronte të gjitha të dhënat që lidheshin me koronavirusin nga viti 2018 deri në vitin 2022, duke përfshirë email-et, shënimet dhe studimet. Revistës “Science” iu kërkua e njëjta gjë, sipas një artikulli në faqen e saj të internetit.
Horton po i referohej një hetimi nga senatori amerikan Rand Paul, i cili ka hetuar financimin e SHBA-së të dhënë një laboratori virologjie në Wuhan të Kinës, qyteti ku filloi pandemia Covid-19 në vitin 2020. Paul kryeson Komitetin e Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare.
“Ata ende po këmbëngulin për Wuhan-in dhe atë që ndodhi atje në pjesën e dytë të vitit 2019,” tha Horton.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shumica e shkencëtarëve thonë se një përhapje nga natyra është shkaku më i mundshëm i pandemisë. Hetimet janë penguar nga mungesa e të dhënave nga Kina, por shërbimet e inteligjencës amerikane thanë vitin e kaluar se një rrjedhje laboratorike mund të ishte shkaku./kb
