Last Updated on 28/02/2026 by Anisa
Nga Spartak Ngjela
Sapo dëgjova fjalimin e Saliut për të shtunën.
Kërkon revolucion me një fjalim qesharak dhe pa asnjë forcë komunikuese.
Të shtunën, tha do të rrëzojmë Edi Ramën.
Fjalë të zbrazëta, që nga pasioni i brendshëm kuptohej se ai ishte shumë i shqetësuar. Sepse, fjalë e zbrazët së brendshmi është fjala që nuk e krijon dot idenë që ti kërkon të shfaqesh në publik.
Dhe Saliu po vijon duke përsëritur vetveten me të njëjtat fjalë që në përmbajtje të tyre nuk kanë ide politike për kombin, por vetëm akuza për kundërshtarin politik. Dhe kjo gjendje apo përmbajtje mendore, dihet se është enverizëm ne brendësinë e saj, sipas klithmës Hoxha: “Poshtë armiku i klasës”.
Por sot kjo është komedi. Dhe mos harroni, se tragjedinë të cilën ia shkakton një populli monarku apo diktatori, koha e kthen në komedi. A s’e keni parë se si po qeshim ne sot me fjalimet agresive të Enver Hoxhës?
Por Saliu, asgjë nuk bën dot se nuk e mbështesin masivisht shqiptarët. Vetëm përkrahësit ka, ca të gënjyer e ca të paguar. Hahahahaha
Po pas të shtunës, çfarë do të na thotë Saliu?
Njëlloj do të jetë, sepse ai tani është kthyer në një pllakë gramafoni që thotë përditë të njëjtat gjëra.
Kurse socialistët dhe intelektualët tallen me të; ndërsa ekspertët e dinë që Saliu gjithçka po e bën për të shpëtuar pronat dhe paratë që nga SPAK i janë vënë në sekuestro konfiskuese, për të gjithë familjen.
Dhe po pritet gjyqi i tij.Kurse Saliu po kërkon revolucion salicist që në thelb nuk është asgjë.
Por dihet nga psikologjia se, i munduri pasionant që është mundur në politikë, kalon shpesh në një delir prej fituesi, që i jep atij një shpresë patologjike. Kjo sepse këtij politikani delirant, i duket vetja se do të jetë fitues për çështje orësh, sidomos kur ky e sheh që kundërshtarit të tij, po ta mundë, do t’ia marrë edhe pronat.
Ja, kjo po i ndodh edhe Saliut, sepse Saliu dihet që ndërkohë është në një proces penal në SPAK, i akuzuar për korrupsion, dhe po pritet që të dënohet edhe me konfiskim të pasurisë.
Po pasuesit politikë të Saliut, a e dinë që ai pasurinë e ka vënë me korrupsion?
E dinë, por ata thonë: “shumë mirë ka bërë, sepse me ato para Saliu ne do të na risjellë në pushtet”
Po pse kaq të lehtë janë nga mendja pasuesit e Saliut?
Po, sepse po të mos ishin kaq të lehtë nga mendja,
pse do të shkonin pas Saliut.(!)
