Reshjet intensive të shiut janë rikthyer gjatë natës në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar përmbytje në disa akse rrugore dhe grumbullime të konsiderueshme uji.
Gazetari i Klan News, Martin Marku, raporton se situata paraqitet problematike këtë të mërkurë, 26 nëntor, veçanërisht në bllokun “11 Janari” dhe në lagjen “Besëlidhja”.
Sipas banorëve të zonës, niveli i ujit ka arritur deri në 80 centimetra në shkallët e para të pallateve, duke krijuar vështirësi serioze në lëvizje dhe duke rrezikuar futjen e ujit në banesa. Si pasojë, qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve është bërë tepër i vështirë.
Në terren kanë ndërhyrë që në orët e para ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve, të cilat po punojnë për mbajtjen hapur të pusetave dhe për largimin e ujërave, me qëllim parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës./ K.M
