Një skelet i plotë tiranozauri sapo i ka dhënë fund njërit prej debateve më të gjatë në paleontologji nëse Nanotiranus është një lloj i përveçëm apo thjesht versioni adoleshent i Tiranozaur reksit.
Fosili bën pjesë në dyshen “Dinozaurët që ndeshen”, të zbuluar në Montana ku dy dinozaurë, një Triceratops dhe një Tiranozaur trupvogël kanë ngecur në një ndeshje prehistorike.
Ai tiranozaur konfirmohet që është një Nanotyrannus lancensis dhe jo një T. reks adoleshent, siç besonin më parë shkencëtarët.
“Fosili jo vetëm i jep fund debatit. Ai përmbys dekada kërkimesh”, thotë Lindsay Zanno nga North Carolina State University, bashkëautore e studimit të publikuar në Nature.
Duke u mbështetur te unazat e rritjes, të dhënat e lëvizjes së shpinës dhe anatomia zhvillimore, kërkuesit treguan se kjo specie ishte rreth 20 vjeç dhe e pjekur fizikisht në kohën që ngordhi. Veçoritë e skeletit si gjymtyrët e parmë të mëdhenj, dhëmbët, vertebrat e pakta në bisht dhe nervat në kafkë krijohen në zhvillimin e hershëm dhe nuk përputhen biologjikisht me T. reksin.
“Që Nanotiranusi të ishte një T. reks i ri, duhet të rrëzonte gjithçka dimë për rritjen e kurrizorëve. Jo vetëm që s’ka gjasa, është e pamundur”, thotë bashkëautori James Napoli,
Ndikimet janë rrënjësore. Për shumë vite, fosilet e Nanotiranusit janë përdorur për të modeluar rritjen dhe sjelljen e T. reksit. Gjetjet e reja tregojnë se këto studime janë mbështetur në dy kafshë plotësisht të ndryshme dhe se lloje të ndryshme tiranozauri banonin në të njëjtat ekosisteme në miliona vitet e fundit para asteroidit.
Konfirmimi i vlefshmërisë së Nanotiranusit tregon që larmishmëria e grabitqarëve në miliona vitet e fundit të Kretakut ishte shumë më e lartë nga sa mendohej dhe ndoshta dinozaurë të tjerë më të vegjël mund të jenë emërtuar gabim.
“Ky zbulim pasqyron një peizazh më të pasur, konkurrues të ditëve të fundit të dinozaurëve”, shton Zanno. “Me madhësi gjigante, kafshim të fuqishëm dhe shikim stereoskopik, T. reksi ishte një grabitqar i frikshëm, por nuk mbretëronte pa rivalë. Përkrah ishte Nanotiranusi, një gjuetar më i vogël, i shpejtë dhe i shkathët”, përfundon ajo./ K.M
