“Ka ardhur koha për një shqiptar në Kongresin Amerikan”, kështu është shprehur me bindje Robert Lulgjuraj, biri i Malësisë me rrënjë të thella shqiptare, që tashmë synon të hyjë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.
Prokurori shqiptaro-amerikan dhe anëtari i Partisë Republikane ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për Kongresin e SHBA-së, duke synuar të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michigan-it në zgjedhjet e vitit 2026.
Familja Lulgjuraj e ka origjinën nga viset shqiptare të Malit të Zi. Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan në Amerikë në vitin 1960, për t’i shpëtuar komunizmit dhe persekutimit fetar. Ata u vendosën në Detroit, ku filluan një jetë të re, të mbushur me punë të ndershme dhe shumë sakrifica, si shumë familje shqiptare të asaj kohe.
Gjyshja e Robertit punonte si pjatalarëse, ndërsa nëna e tij si kameriere, punë që e vazhdon edhe sot.
“Gjyshërit e mi erdhën për t’i shpëtuar komunizmit, persekutimit fetar dhe tiranisë. Katolicizmi dhe mundësia për të ushtruar fenë e tyre ishin një pjesë e madhe e arsyes pse ata emigruan, si dhe mundësia për punë. Gjyshi im ishte punëtor në Chrysler në Detroit, dhe gjyshja ime punonte si pjata larëse. Ndërsa mamaja ime, edhe tani që po flasim, punon si kameriere, dhe babai im është punëtor mirëmbajtjeje. Prindërit e mi sakrifikuan pa masë për mua, dhe për këtë arsye unë dua të jap diçka në këmbim, për t’i falënderuar ata, për të falënderuar vendin tim dhe për të shërbyer komunitetit tim”, ka rrëfyer Lulgjuraj në një intervistë të dhënë më herët. m.p.
