Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë së shpejti që turistët nga dhjetëra vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të dorëzojnë historikun e tyre të rrjeteve sociale për pesë vitet e fundit, si kusht për hyrjen në territorin amerikan. Kjo është parashikuar në një propozim të ri të bërë publik nga autoritetet amerikane.
Masa e re do të prekë qytetarët e vendeve që aktualisht hyjnë në SHBA pa vizë për një periudhë deri në 90 ditë, me kusht që të kenë plotësuar formularin elektronik të autorizimit të udhëtimit, i njohur si ESTA.
Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, Presidenti Donald Trump ka ndërmarrë hapa për forcimin e mëtejshëm të kufijve amerikanë, duke e justifikuar këtë me arsye të sigurisë kombëtare. Analistët paralajmërojnë se propozimi i ri mund të kthehet në pengesë për vizitorët e huaj dhe të cenojë të drejtat e tyre dixhitale, veçanërisht në një kohë kur SHBA pret fluks të madh turistësh vitin e ardhshëm, për Kupën e Botës së Futbollit dhe për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
Dokumenti i propozimit është depozituar nga Autoriteti i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP), në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), dhe është pasqyruar në Federal Register, publikimi zyrtar i qeverisë amerikane. BBC raporton se i ka kërkuar DHS një koment zyrtar.
Sipas dokumentit, autoritetet kërkojnë që aplikuesit e ESTA-s të deklarojnë llogaritë e tyre të rrjeteve sociale të përdorura në pesë vitet e fundit, megjithëse nuk jepen detaje të tjera mbi llojin e informacionit që do të kërkohet. Aktualisht, plotësimi i formularit ESTA përfshin të dhëna minimale dhe një pagesë prej 40 dollarësh.
Propozimi parashikon gjithashtu mbledhjen e numrave të telefonit të përdorur nga aplikanti në pesë vitet e fundit, adresat e emailit të dekadës së fundit, si dhe më shumë informacion rreth anëtarëve të familjes. Në tekst nënvizohet një urdhër ekzekutiv i Presidentit Trump, i nënshkruar në janar, me titull “Mbrojtja e Shteteve të Bashkuara nga Terroristët e Huaj dhe Kërcënimet ndaj Sigurisë Publike”.
Këto masa pritet të hapin debat të gjerë si brenda SHBA-së, ashtu edhe në vendet partnere./mxh
