Rrjeti ndërkombëtar SafeJournalists ka shprehur shqetësim lidhur me disa dispozita të Rregullores së re të Brendshme të miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila është parashikuar të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026.
Ndonëse njeh përgjegjësinë e gjykatës për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e proceseve, rrjeti i mbrojtjes së gazetarëve nëvizon se efektet e kombinuara të neneve të reja rrezikojnë të cenojnë seriozisht lirinë e informimit.
Sipas deklaratës, neni 76 dhe neni 93(16) ndalojnë kategorikisht mbajtjen e telefonave, laptopëve dhe pajisjeve elektronike në sallë, çka pengon mbajtjen e shënimeve, verifikimin e informacionit dhe komunikimin e gazetarëve me redaksitë në kohë reale.
Gjithashtu, rregullorja vendos një filtër strikt akreditimi vjetor dhe detyrimin për të bërë kërkesë 24 orë përpara seancave, çka krijon barrë administrative dhe vendos në pozitë të pafavorshme gazetarët e pavarur (freelancer), raportuesit e rinj apo mediat e vogla. Po ashtu, shqetësim mbetet rregullimi i çështjeve etike apo përdorimit të inteligjencës artificiale përmes skemës së akreditimit, si dhe mungesa e një mekanizmi të shpejtë për ankimimin e refuzimeve./kb
