Last Updated on 09/11/2026 by Monika
Siria po përgatitet t’i bashkohet një marrëveshjeje të përbashkët mbrojtjeje me Turqinë, Arabinë Saudite dhe Pakistanin, në një kohë kur Riadi kërkon mbështetje ushtarake përballë sulmeve të rebelëve Houthi nga Jemeni.
Sipas Associated Press, vendimi për anëtarësimin ende nuk është shpallur zyrtarisht, ndërsa bisedimet për përfshirjen e Damaskut në aleancë vijojnë. Marrëveshja, e nënshkruar më 7 gusht, parashikon që vendet anëtare të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të një sulmi të armatosur nga jashtë.
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, ka konfirmuar më herët diskutimet për anëtarësimin në këtë aleancë, ndërsa ka theksuar se Siria nuk ka ndërmend të dërgojë trupa luftarake në Jemen në të ardhmen e afërt. Megjithatë, rreth 600 efektivë të forcave speciale siriane pritet të shkojnë në Arabinë Saudite për t’u angazhuar pranë kufirit me Jemenin, sipas një zyrtari sirian të cituar nga AP.
Ndërkohë, burime ushtarake siriane dhe një zyrtar i lartë amerikan kanë bërë të ditur për Reuters se personeli sirian ka mbërritur tashmë në Arabinë Saudite, ku po këshillon dhe trajnon forcat saudite dhe jemenase. Të dyja vendet nënshkruan gjithashtu një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak gjatë vizitës së presidentit sirian Ahmad al-Sharaa në Riad, më 4 nëntor, ku ai u takua me princin e kurorës Mohammed bin Salman.
Afrimi ushtarak mes dy vendeve vjen në një periudhë tensionesh të reja me rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, të cilët kanë rifilluar sulmet ndaj aeroporteve dhe objekteve naftësjellëse saudite. Të dielën, mbetjet e një sulmi të Houthive dëmtuan një kullë zyrash të kompanisë Aramco në Riad, pa shkaktuar viktima.
Siria, e cila po rindërton ushtrinë pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, po thellon kështu bashkëpunimin me Arabinë Saudite dhe partnerët e saj rajonalë./mxh
